Ngjarje

Greqi, shqiptari vret kunatin me armë në shenjë hakmarrjeje për përdhunimin e vajzës që në moshë të mitur

Gazeta Si - Një 33-vjeçar shqiptar u qëllua me armë zjarri për vdekje nga kunati i tij 50-vjeçar me kombësi po shqiptare, pasi ka mësuar se vajza e tij 18 vjeçe i ka treguar se i riu e kishte përdhunuar që në moshën 9-vjeçare.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në Volos të Greqisë. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, 50-vjeçari e qëlloi vëllain e bashkëshortes së tij me shotgun, e më pas u vetëdorëzua në polici.

Mediat raportojnë se Erjon Pelivani është 33-vjeçari që u ekzekutua nga kunati i tij, Fatmir Talellari në Volos.

Talellari e kishte vajzën me gruan e parë e cila ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti rrugor. Me gruan e parë ai është baba edhe i dy fëmijëve të tjerë.

Pas aksidentit fatal ai u martua më vonë me një grua tjetër, motrën e Erjon Pelivanit, me të cilën ka edhe një fëmijë.

Sipas policisë, ishte Talellari që i telefonoi autoriteteve për t’i treguar se kishte ekzekutuar kunatin e tij dhe se do të dorëzohej.

“Vrava njeriun që më helmoi fëmijën”, mësohet se u shpreh 50-vjeçari në momentin që iu dorëzua policisë greke.

I pyetur për shkaqet e këtij krimi të rëndë, në polici shqiptari tha se e kishte marrë vendimin për ta vrarë kunatin në mëngjes, pasi vajza e tij 18-vjeçare i kishte rrëfyer se viktima e përdhunonte që prej moshës 9-vjeçare dhe së fundmi, të paktën sipas dëshmisë së shqiptarit në polici, e kishte shantazhuar se do t’i publikonte videot e fotot intime.

Po sipas asaj që shkruajnë mediat greke, autori i dyshuar i vrasjes la takim me 33-vjeçarin mbrëmjen e së martës në zonën e Agria, me një pretekst të parëndësishëm.

Kur palët u takuan patën një debat, më pas 50-vjeçari e qëlloi me shotgun kunatin në fytyrë e kraharor.

Autori do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie ndërse gjatë orëve në vazhdim pritet të merret në pyetje edhe viktima tjetër e kësaj tragjedie, vajza 18-vjeçare, që ka përjetuar dhunë të vazhdueshme seksuale.

Bashkëshortja ka folur për mediat greke në lidhje me këtë rast të rëndë. Ajo është shprehur se vajza e ka rrëfyer ngjarjen tre ditë më parë. Deri atëherë 18-vjeçarja nuk kishte treguar asgjë për përdhunimet.

Ajo ka treguar më tej se i shoqi, Talellari e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se i ka vrarë të vëllanë.

“E mësova 3-4 ditë më parë. Nuk dija asgjë, (Erjon Pelivani) ka mbuluar çdo gjë. Vajza nuk më ka treguar gjë as mua. Ai (Fatmir Tulellari) më mori dhe më tha “kam vrarë vëllain tënd””, ka treguar ajo për mediat greke.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë