Kombetarja

Grasshopersi përjashton Arlind Ajetin, Egzon Binaku me ekip të ri

Orët e fundit ka pasur zhvillime sa u takon futbollistëve të Kombëtares së Shqipërisë. Një lajm i çuditshëm vjen nga Zvicra, ku trajneri i Grasshopersit, Tomisllav Stipiç, ka përjashtuar nga ekipi mbrojtësin Arlind Ajeti dhe disa lojtarë të tjerë, dy prej tyre me origjinë shqiptare, Tarashaj dhe Asllani. Një vendim shumë i çuditshëm dhe absurd, duke ditur që jemi afër fundit të sezonit. Fillimisht u mendua se ishte një ndëshkim i këtyre futbollistëve nga trajneri kroat, por ky i fundit ka deklaruar se nuk i do më në skuadër ata që ka larguar.

Ajeti ishte bashkuar këtë sezon me Grasshopersin, pasi u largua nga Italia. Iu desh pak kohë për të rigjetur formën, por kohët e fundit po aktivizohej titullar dhe ish-trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, e grumbulloi për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën. Mbrojtësi i qendrës, i aktivizuar me ekipe si Frozinone, Krotone dhe Torino në Serinë A, duhet të shkëputë marrëdhëniet kontraktuale me ekipin zviceran dhe të mendojë që tani për sezonin e ri. Nga shtypi zviceran, vendimi i trajnerit Stipiç është vlerësuar i ekzagjeruar, megjithatë tani gjithçka është fakt i kryer dhe aventura e Ajetit me Grasshopersin është mbyllur në mënyrën më të keqe.

Egzon Binaku

Një tjetër kuqezi, Egzon Binaku, nga e shtuna është bërë me ekip të ri. Ai ka kaluar te Norrkopingu, duke mbetur në kampionatin suedez. Mbrojtësi i krahut të majtë la Malmon, ku e kishte të vështirë të luante gjithmonë titullar për shkak të konkurrencës së fortë. Futbollisti 23-vjeçar zgjidhi Norrkopingun në momentet e fundit para nisjes së kampionatit të ri. Binaku nuk ishte pjesë e kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit, sepse kishte probleme dëmtimi. Me Norrkopingun ai synon të jetë titullar fiks dhe duke luajtur rregullisht do të mund të ngrejë nivelin e tij profesional.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë