Rend dhe Ligj

Grabitje në Paskuqan/ E lidhin 60-vjeçaren, i marrin bizhuteri dhe lekët e dritave

Një 60-vjeçare ka kaluar momente tmerri nga disa grabitës që në mesnatë i hynë në dhomën e gjumit dhe pasi e lidhën e kërcënuan të tregonte se ku i kishte fshehur paratë. Ngjarja ka ndodhur sipas burimeve të gazetës Si në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë dhe sipas burimeve, grabitësit kanë pasur informacion që gruaja gjendej e vetme në banesë duke qenë se i shoqi ishte larguar në Greqi. Por fakti që Z. S, e cila punon si pastruese ka qenë e dënuar për vjedhje me anë të mashtrimit, i ka bërë pak skeptikë agjentët e policisë për të kuptuar nëse ajo është duke dhënë apo jo një dëshmi të vërtetë. Sidoqoftë, në dhomën e gjumit ata përshkruajnë për gazetën Si këqyrjet që realizuan ku dhe konstatuan rrëmujë dhe sirtarë të hapur.

Gruaja jeton e vetme në katin e tretë të një shtëpie private, ndërsa katin e dytë e ka dhënë me qira tek një çift. “Mbylla derën e jashtme dhe rashë për të fjetur, ndërkohë që dikush hipi mbi krevat dhe direkt më zuri gojën dhe duke më shtrënguar me dorë më tha të mos flisja fare e të mos bëja zhurmë. Njëkohësisht filloi të më hedhë ujë e të më godasë me një hekur në pjesë të ndryshme të trupit”.

Gruaja përshkruan më tej se personi i panjohur e paralajmëroi se do ta hidhte nga kati i fundit në rast se ajo bërtiste për ndihmë.

“Nxori një si tip rripi dhe më lidhi këmbët, nxori një çarçaf nga sirtarët dhe më lidhi duart dhe ndërkohë pashë se një tjetër po bënte roje në ballkon. Një i tretë kërkonte kasafortën. Ai që më rrihte mori telefonin dhe më urdhëroi duke më sharë hiqja kyçin, hiqja kodin. Pastaj më hapën çantën ku kisha lekët e dritave dhe prej aty morën 10 mijë lekë të reja'

Skenat e dhunës kanë vijuar për disa minuta teksa grabitësit sipas 60-vjeçares nuk po ja arrinin të gjenin sende të çmuara apo shuma parash. “Më tërhoqën zvarrë. Më nxorën në sallon, pastaj më thanë po kjo poshtë për komshien a ka florinj. Ju thashë po që të shpëtoja, dhe që kur të zbrisnin tek fqinja që jeton me qira të njoftoja policinë”.

Në rrëfimin e administruar në polici sipas burimeve të gazetës Si pasi grabitësit e kishin lënë të lidhur, dhe çuditërisht nuk kishin zbritur në katin poshtë, ajo ishte zgjidhur dhe kishte kërkuar ndihmë dhe më pas ka shkuar në urgjencë për ndihmë mjekësore.

Gruaja i përshkruan të katër grabitësit të veshur me maska dhe doreza, ndërsa mbanin kapele, por sipas bindjes së 60 vjeçares ata duhet të jenë në moshë relativisht të re. "Nga dialekti duket që ishin nga veriu" kaq është në gjendje të përshkruaj e moshuara para oficerëve të policisë që nga ana e tyre konstatojnë se Z.S, ju grabit telefoni, ora e shtrenjtë e nuses së djalit, një unazë floriri, byzylyk floriri i të birit dhe bizhuteri të tjera të shtrenjta. Pa harruar edhe lekët e energjisë elektrike që Z.S. i mbante në çantë për t’i paguar. Policia ka urdhëruar vendim për marrje e ADN në disa nga orenditë e prekura nga grabitësit dhe ekspertimin e disa njollave të gjakut të konstatuara në sallon, aty ku e moshuara është mbajtur e lidhur derisa ja ka dalë mbanë të zgjidhet vetë. Policia thotë për gazetën Si se çështja u regjistrua për grabitje me dhunë dhe se pavarësisht profilit të denoncueses, një varg provash të mbledhura në banesën e saj përfshi edhe frakturat krijojnë bindjen se ajo u dhunua dhe u grabit nga persona për të cilët ende nuk dihet asgjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë