Gazeta Si - Ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi u dënua me 2 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës këtë të martë për fshehje të pasurisë, pasi në banesën e saj, pastruesja Rozeta Dobi dyshohet se kishte grabitur një shumë prej 500 mijë eurosh.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Klosit i konvertohet dënimi në 20 muaj burg. Megjithatë, duke parë se ajo ka pothuajse një vit në ambientet e paraburgimit, për rrjedhojë pritet të dalë së shpejti nga qelia pavarësisht vendimit të gjykatës, pasi paraburgimi llogaritet me 1.5 ditë.
Ndërsa sanitarja Rozeta Dobi u dënua me 7 vite burg, të cilës i konvertohet në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Djali i saj, Havier Dobi u dënua me 5 vite burg që i konvertohet në 3 vite e 4 muaj në qeli për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ata akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.
Pretenca e Prokurorisë
Prokuroria kërkoi në pretencë 6 vite burg për Rozeta Dobin, sanitares që iu gjetën rreth 500 mijë Euro në banesë. Për djalin u kërkua 4 vite burgim dhe të aplikohet ulja e dënimit me 1/3 dhe duke zbatuar nenin 59 ai të dënohet përfundimisht me 3 vite shërbim prove. Por kjo u rrëzuan nga gjykata.
Po ashtu prokuroria kërkoi që dy makinat e blera nga Havier Dobi me paratë e vjedhura të kalojnë në favor të shtetit ndërsa sekuestroja për llogaritë bankare të Rozeta Dobit të hiqet. Po ashtu, bizhuteritë e vjedhura duhet t’u kthehen personave që u janë marrë.
Mbrojtja
Mbrojtja e Rozeta Dobit sqaroi se janë treguar bashkëpunues dhe ajo është arsyeja pse u zbulua ngjarja. “Të merret parasysh fakti që Dobi nuk do të jetë e dënuar, ata kanë edhe një fatkeqësi pasi ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet të kujdeset për djalin.
Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg. Ajo do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo ndihet e penduar për atë që ka bërë. Ne kërkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur t’i kthehen Rozeta Dobit”, tha avokati i saj.
Në këtë mënyrë ata kërkuan kthimin e 25 mijë eurove dhe 1 milion lekë të vjetra, por prokuroria thotë se nuk rezulton që Dobi t’i ketë krijuar ato me burime të ligjshme.
Pendesa
“Së pari shpreh pendesën time për çdo gjë që ka ndodhur. Kërkoj mëshirën tuaj në dhënien e vendimit. Atë shumë parash Alda Klosi ma ka kërkuar që t’i mbaj dhe në një moment të dytë do t’ia ktheja tek shtëpia e saj. Unë nuk kam vjedhur, më vjen keq e kam mbajtur familjen me punë të ndershme. Më ka kërkuar që t’i mbaja, këtë inskenim. Ajo e ka bërë që të fajësojë ish-bashkëshortin e saj”, tha vetë Rozeta Dobi.
Ndërsa djali i saj shprehu pendesën për krimin e kryer. Avokati i tij kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese pasi ai është i vetmi që mund të sigurojë të ardhura për familjen dhe të mos dënohet me burg, por me shërbim prove.
Akuzat
Ish-shefja kabinetit të ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, akuzohet për deklarim të rremë, fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë para OPGJ.
Sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim.
Prokuroria ka theksuar se në analizën financiare për Klosin, shuma e vjedhur nuk rezulton e provueshme nga burime të ligjshme.
Ish-zyrtarja Alda Klosi e cila ndodhet në qeli prej disa muajsh është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Tiranës.
Klosit i është komunikuar akuza e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Ish-zyrtarja u prangos, pasi sanitarja Rozeta Dobi, deklaroi se shumën prej 500 mijë eurosh e kishte marrë nga banesa e Alda Klosit.
Skandali
Skandali u zbulua rreth një vit më parë, pasi në pranga ranë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi. Ata u kallëzuan për vjedhje nga Alda Klosi.
Më pas gjatë një përgjimi ambiental në Policinë e Tiranës u zbuluan se në tubin e aspirimit në banesën e Rozeta Dobit ndodheshin rreth 500 mijë euro.
Gjatë përballjeve mes tyre, Rozeta Dobi pretendon se të gjitha paratë i ka marrë në banesën e ish-zyrtares ndërsa Klosi ka pranuar pronësinë e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve për të cilat ka dorëzuar edhe dokumentat përkatëse për justifikimin e tyre.
Në banesën e sanitares u gjetën edhe disa sende me vlerë disa prej tyre ishin të Alda Klosit ndërsa për disa të tjera ende nuk dihet se kujt i përkasin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.