Ngjarje

Grabitësit e bankës në Koplik ende në arrati, zbulohet shuma e parave

Gazeta Si - Autorët që grabitën bankën e nivelit të dytë në Koplik, kanë marrë prej andej një shumë të konsiderueshme parash.

Sipas burimeve paraprake, ata kanë grabitur 10 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe 4 milionë lekë të vjetra.

Kjo shumë parash është grabitur në sportelet e bankës, ku tre autorët kanë qenë të armatosur dhe të maskuar.

Ata vijojnë të jenë ende në arrati, duke humbur gjurmët pas grabitjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14.10 minuta, kur autorët kanë hyrë në bankë, duke kërcënuar punonjësit që t’u jepnin paratë.

Pasi kanë marrë vlerat monetare, janë larguar me automjetin tip “Wolksvagen” të parkuar jashtë mjediseve të bankës.

Në dalje të qytetit të Koplikut, në rreth-rrotullimin që njihet si kufiri me njësinë administrative të Bajzës së Kastratit, kanë djegur mjetin në mes të rrugës kryesore Shkodër-Han i Hotit.

Më pas, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë automjetin tip ‘Benz’ një kalimtari të rastit, duke arritur t’i largohen policisë.

Efektivët e policisë dhe FNSH-së së Shkodrës janë vënë në ndjekje të tyre. Në disa zona janë ngritur post-blloqe.

Gjithashtu me ndihmën e një helikopteri janë bërë edhe kontrolle nga ajri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë