Ka ndodhur

Grabitet banka në Koplik, autorët dogjën makinën dhe ikën me një tjetër mjet të vjedhur

Gazeta Si - Një bankë e nivelit të dytë në Koplik është grabitur nga 3 persona të maskuar e të armatosur pas mesditës së kësaj të hëne.

Ata kanë kërcënuar me armë punonjësit dhe klientët që ndodheshin aty, ndërkohë që nuk dihet shuma që kanë marrë me vete.

Policia thotë se pasi kanë kryer grabitjen, ata janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit.

Më pas, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.

Kur kanë dalë nga banka, ka qene një punonjës i policisë kufitare, që ka tentuar t'i ndalojë, por edhe ai është kërcënuar me armë.

Ndërkohë, policia njofton se ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Gjatë grabitjes së parave në bankë, nuk ka asnjë person të lënduar.

Në ndihmë të policisë lokale, kanë shkuar grupe të FNSH në Shkodër, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në kërkim të autorëve, policia po patrullon zonën edhe me helikopter. Dyshohet se autorët janë drejtuar drejt fshatrave kufitare me Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë