Futboll

Goli i Doçit nuk mjafton, Vllaznia ‘shtyn’ një javë kualifikimin

Gazeta Si – Barazim 1-1 në ndeshjen e parë, kualifikimi mbetet i hapur për Vllazninë. Duket se arritja historike për kalimin në grupet e Championsit është shtyrë nga vajzat kuqeblu. Vllaznia vinte në këtë ndeshje me një formacion ndryshe, me shumë lojtare të huaja në përbërje.

Edhe pse u luajt në “Loro Boriçi’, sot pritëse ishte skuadra ukrinase e Vorsklas. Tifozët shkodranë e mbështetën skuadrën kampione të Shqipërisë në futboll femrash dhe barazimi duhet parë me sy pozitiv.

Nga ndeshja Vorskla-Vllaznia, 1-1. Gazeta Si, 21 shtator 2022

Vllaznia ishte me fat në pjesën e parë, kur Kalinina goditi traversën. Megi Doçi shënoi golin e avantazhit me një gjuajtje të bukur në fillim të pjesës së dytë, por ukrainaset barazuan shpejt.

Vorskla fitoi një penallti dhe Kalinina gaboi në gjuajtjen nga pika e bardhë, por topin e grushtuar nga portierja amerikane e Vllaznisë e çoi në rrjetë Kravçuk.

Ndeshja e dytë e ‘Play Off’-it luhet pas një jave, më 28 shtator, sërish në stadiumin ‘Loro Boriçi’, pas marrëveshjes mes dy klubeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë