Kombetarja

Golat e Rei Manajt joshin Beshiktashin, Silvinjo nuk mund ta injorojë sulmuesin

Gazeta Si – Me 14 gola në Superligën turke, Rei Manaj po përjeton ndoshta sezonin e tij më të mirë në karrierë. Pjaca për sulmuesin 27-vjeçar është rritur pa dyshim, jo vetëm në Turqi, ku klubet big mund t’ia rrëmbejnë shumë shpejt Sivasporit.

Beshiktashi është skuadra që po interesohet më shumë për Manajn. Pasi ka marrë Milot Rashicën dhe Ernest Muçin, kjo skuadër synon të afrojë edhe shqiptarin e tretë. Është çështje shqiponje (simboli i Beshiktashit), me sa duket. Manaj është ambientuar menjëherë me futbollin turk dhe për momentin duket se fanella e Sivasporit i rri pak e ngushtë.

Sulmuesi është në kulmin e pjekurisë si futbollist, gati për të kaluar në një klub europian me ambicje të mëdha. Nëse do të shkonte te Beshiktashi, ndoshta mund të haste vështirësi për formacionin, por gjithsesi do të ishte një hap i madh përpara. Në merkato mund të ketë edhe ndonjë surprizë. Cv-ja e Manajt është shumë e pasur, por më shumë tani bën punë forma shumë e mirë e tij.

Silvinjo në ‘siklet’, s’mund ta injorojë Manajn
Për listën zyrtare të Shqipërisë së Euro 2024 ka ende kohë, por kuptohet lehtë se Manaj duhet të jetë pjesë e saj. Ai është sulmuesi shqiptar më në formë aktualisht dhe pak muaj para Europianit trajneri Silvinjo me siguri e ka në plane. Do të jetë një vendim i dhimbshëm për brazilianin, sepse dikush duhet t’i lirojë vendin lojtarit të Sivasporit.

Rei Manaj me fanellen e Kombetares. Gazeta Si, 28 shkurt 2024

Diskutohet edhe Armando Broja, edhe pse është sulmuesi më i mirë që kemi. Broja nuk po luan as me Fulhemin, ku u huazua në merkaton e dimrit dhe nëse situata nuk ndryshon, nuk është çudi që ai të mbetet jashtë liste. Cikalleshi ka bërë një punë të madhe në kualifikuese, ndërsa Daku është një sulmues potent dhe vështirë se do të mbetej jashtë.

Silvinjo do të tregohet shumë i kujdesshëm për t’i dhënë secilit atë që meriton. Ata që e kualifikuan Shqipërinë për herë të dytë në Europian mund të kenë përparësi dhe këtu Broja sërish ‘digjet’. Fakt është që Manaj për momentin meriton një fanellë kuqezi dhe trajneri i Kombëtares nuk ka si ta injorojë…

Rei Manaj ka gjithçka që i duhet Silvinjos: potencë fizike, grintë, gjuajtje, driblim dhe marrëdhënie të mira me golin. Nëse ruan këtë formë, patjetvr do të jetë në Gjermani 2024. Reja e kishte të preferuarin e tij, diçka kishte te parë te ky sulmues, diçka që tani edhe Silvinjo e ka parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë