Kombetarja

Golat dhe loja bindin Çelsin, gati rinovimi i kontratës me Armando Brojën

Paraqitja e Armando Brojës në sezonin e parë me Viteshen në kampionatin holandez ka qenë pozitive. Ai po ndjek gjurmët e lojtarëve të tjerë që Çelsi ka huazuar më parë te skuadra holandeze. Bertrand Traore ka shënuar 13 gola me Viteshen në sezonin 2014-2015, Lukas Piazon ka shënuar 11 gola, ndërsa Broja është i treti me 10 gola.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka folur për shtypin holandez në lidhje me përvojën e tij të këtij sezoni: “Po mësoj shumë gjëra te Viteshe. Kam shënuar shumë gola me të rinjtë, sezonin e fundit shënova 30, kurse tani është më e vështirë. Kaloav edhe një moment krize, me 6 ndeshje pa gol. Është diçka që u ndodh edhe sulmuesve më të mirë. Në finalen e kupës dhashë një asist për Opendën dhe jam i kënaqur”, - ka thënë sulmuesi shqiptar.

Armando Broja me fanellën e Viteshes. Gazeta Si, 7 maj 2021

Golat e shënuar dhe niveli i lojës së Brojës, sipas specialistëve të merkatos, ka bërë që edhe drejtuesit e Çelsit të mendojnë për rinovimin e kontratës me sulmuesin kuqezi në verë. Ndoshta edhe sezonin e ri Broja do të vazhdojë të luajë në Holandë, ku aktivizimi i rregullt mund ta ndihmojë të rritet edhe më shumë profesionalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë