Futboll

Gol me roveshiatë, Lionel Mesi rikthehet si në kohët e arta

Gazeta Si – Argjentinasi shënoi një gol të bukur, të pazakontë për të. Mesi ishte protagonist në fitoren e lehtë ndaj Klermont, ku shënuan edhe Nejmar, Markuinjos dhe Hakimi.

Pas 4-0 ndaj nantës në Superkupën e Francës, skuadra e emirit të Katarit ‘asfaltoi’ edhe Klermontin 5-0. Mbi të gjitha, me një Mesi të madh, autor i 2 golave, njëri nga të cilët me roveshiatë.

Edhe Nejmar u shfaq në versionin ‘show’, me gol dhe asist për Leo Mesin. Nuk mund të fillonte më mirë kampionati për PSG-në e Kristof Galtier.

Në mungesë të Mbape për shkak dëmtimi, Nejmar dhuroi spektakël në pjesën e parë. Ai zhbllokoi rezultatin dhe pastaj dha pasimin për Hakimin në një kundërsulm të shpejtë për 2-0. Markuinjos shënoi me kokë golin e tretë.

Galtier ka zgjedhur skemën 3-4-1-2, që duket se po jep rezultat, duke bërë të buzëqeshë Al Khelaifin në tribunë. Në pjesën e dytë skenë e rrëmbeu Mesi me dy gola. I dyti u bë viral në rrjetet sociale. Një mesazh se Leo është kthyer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë