Nga Gazeta ‘Si’– Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u shpreh optimist për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Në një konferencë për shtyp ai theksoi se Bashkimi Europian sipas tij ka vlerësuar pozitivisht reformat në drejtësi dhe rezultatet e institucioneve shqiptare.
Sipas ministrit, raporti teknik i BE-së për piketat e ndërmjetme të reformës në drejtësi ka kaluar tashmë nga grupi teknik i punës në nivelin e ambasadorëve të vendeve anëtare.
Gogu theksoi se gjatë 18 muajve të fundit janë koordinuar 70 institucione, janë angazhuar 190 ekspertë dhe janë zhvilluar 90 orë raportim pranë Komisionit Europian, ndërsa janë dorëzuar mbi 8 mijë faqe dokumentacion.
“Do qëndroj vetëm në tre shifra ose më mirë në katër, por në tre pozitive dhe në një negative. Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme apo IBARI ishte një proces teknik dhe që progresoi, tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare, të vendeve të përhershme.
Tregon që procesi lëviz, procesi ecën dhe ka mbështetje faktike dhe institucionale të çdo mase nga ana e shtetit shqiptar. Besoj në fund të ditës ky raport që ka vlerësuar të gjitha masat tona ka të bëjnë me ato rezultate të prekshme që ne duam të shohim në vijim dhe çdo qytetar pret nga sistemi i drejtësisë në vijim. Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport, që është raport teknik dhe që ka kaluar grupin e punës dhe tani është në një grup vendimmarrësish në lidhje me sistemin e drejtësisë, në lidhje me gjyqësorin dhe me backlog-un që është një çështje që ju e shikoni përditë e hetoni, e raportoni, e dëshmoni”, u shpreh ministri Gogu.
Ministri tha se besimi i qytetarëve te drejtësia është dyfishuar, nga 26% në 53%, ndërsa perceptimi pozitiv për reformën është rritur nga 34% në 56%.
Megjithatë, ai pranoi se vonesat në gjykime dhe kostot financiare mbeten problematika serioze për qytetarët.
Ai u ndal dhe tek aministia penale, për të cilën tha se është në pritje të vlerësimit nga Komisioni Europian.
“Është një instrument i politikës sonë penale që është dizenjuar për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje.
Do të ndodhë, patjetër! Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për Themeloret, do të fillojmë të merremi me amnistinë”, tha Gogu, duke shtuar se në ditët në vijim, do të fillojë edhe diskutimi në parlament.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje