Futboll

Goditjet “last minute” në futbollin europian, nga Ikardi te Rebiç

Merkato është mbyllur zyrtarisht te të gjitha kampionatet e rëndësishme europiane. Një verë e gjatë me shumë lajme dhe shumë lëvizje të bujshme ka ulur siparin mbrëmjen e djeshme. Por siç tashmë është bërë traditë edhe në ditën e fundit disa klube të rëndësishme europiane kanë bërë goditjet e fundit në merkato.

Më aktive ka qenë PSG, e cila në ditën e fundit ka bërë dy afrime zyrtare në merkato. Mauro Ikardi dhe Kejlor Navas janë dy përforcimet e fundit të parisienëve. Portieri kostarikan u shkëmbye kokë më kokë me portierin francez, Areola që do të veshë fanellën e Real Madrid.

Prezantimi i Keilor Navas te PSG - Gazeta Si, 3 shtator 2019

Nëse për Navas nuk pati ndonjë dilemë prej ditësh, pasi çdo gjë ishte mbyllur me Real Madrid dhe dje vetëm prezantimi kishte mbetur, për Ikardin diskutimi është shumë i ndryshëm. Argjentinasi ishte një telenovelë shumë e gjatë këtë verë me Interin që ia kishte treguar derën që në muajin korrik. Shumë zëra dhe lajme pa fund për kalime të mundshme për Ikardin, por në fund fanella e tij e re do të jetë më numrin 18 te PSG, ku e pret një sezon i vështirë, pasi kundërshtarë reparti ka një “vrasës” si Edinson Kavani.

Prezantimi i Ante Rebic te Milan - Gazeta Si, 3 shtator 2019

Por shumë aktive në orët e fundit të merkatos ishin dhe ekipet italiane. Roma, Milan dhe Torino bën disa lëvizje sidomos në repartin e sulmit. Milani arriti më në fund të merrte sulmuesin që deshi gjatë gjithë verës. Nuk ishte Korrea, por kroati Ante Rebiç. Ky i fundit u zyrtarizua vetëm në orën 20:00 dhe vendimtar në këtë tratativë ishte Zvonimir Boban. Ishte pikërisht Boban që arriti të bindte patriotin e tij Rebiç se është i duhuri për t’ju bashkuar Piatek në majën e sulmit kuqezi.

Prezantimi Mikitarian te Roma - Gazeta Si, 3 shtator 2019

Edhe goditja e Romës në minutën e fundit ishte e bujshme. Armeni Henrik Nikitarian ekzaltoi të gjithë tifozët verdhekuq, që tashmë mund t’i gëzohen një dyshe sulmues Xheko-Nikitarian që do të luftojë për tu futur në zonën Champions. Edhe goditja e Torinos, që mori nga Napoli Simone Verdi bëri bujë në mediet italiane. “Demat” kanë bërë një start shumë të mirë këtë sezon dhe me përforcimet e kësaj vere synojnë të kapin zonën Europa League, aty ku këtë sezon nuk shkuan dot pasi u mposhtën nga Uolvs në play off.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë