Futboll

Goditje e befasishme e Barcelonës, merr Boateng nga Sasuolo

Kevin Prince Boateng është një lojtar i Barcelonës. Klubi katalanas dhe ai i Sasuolos po saktësojnë detajet e fundit të marrëveshjes. Një lëvizje e papritur e Barcelonës, sepse emri i futbollistit ganez nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në merkato.

Administratori i klubit italian, Giovanni Carnevali, ndodhet në Spanjë për të diskutuar në lidhje me formulën e blerjes, që sipas të gjitha gjasave do të jetë një huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit. Boateng, një lojtar që ka shëtitur shumë në Europë, do të fillojë kështu një jetë të re në Barcelonë, pas përvojave që ka pasur së fundi me Las Palmas në Spanjë, me Eintraht Frankfurt në Gjermani dhe me Sasuolon në Itali. Ishte pikërisht Sasuolo që në verë e ktheu në Serinë A dhe Boateng ka qenë gjithmonë titullar, shpesh duke bërë edhe rolin e sulmuesit të fshehur, apo “falso nove”, siç quhet tashmë. Ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola me fanellën e Sasuolos. Në Itali Boateng ka luajtur edhe me Milanin.

Boateng, kur luante me Milanin

Raportet e mira mes klubeve të Sasuolos dhe Barcelonës u ndërtuan verën e kaluar, kur Carnevali arriti të merrte nga katalanasit mbrojtësin brazilian Marlon. Në projektet e klubit italian është që në të ardhmen të ndjekë modelin e akademisë së katalanasve. Për momentin, Boateng nuk do të zëvendësohet, sepse klubi beson tek i riu Scamacca, i cili do të kthehet nga Holanda. Sezonin e ardhshëm pritet që ndonjë tjetër talent i Barcelonës të kalojë te Sasuolo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë