Futboll

Globe Soccer Awards, shumë protagonistë në Dubai për “Lojtarin e vitit”

Ndahen sot në Dubai çmimet “Globe Soccer Awards” për më të mirët e futbollit ndërkombëtar, ku protagonistët pritet të jenë të njëjtët. Italia, kampione e Europës, është në garë për 5 çmime: Roberto Mançini për “Trajnerin e vitit”, Xhorxhio Kielini dhe Leonardo Bonuçi për “Mbrojtësin më të mirë”, Xhanluixhi Donaruma për “Portierin më të mirë” dhe “axurrët” për “Skuadra më e mirë” e 2021-shit.

Mes emrave kandidatë për kategori të ndryshme nuk mungojnë të zakonshmit Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, të cilët në Dubai kanë triumfuar edhe vitet e mëparshme, Mohamed Salah dhe Karim Benzema. Këtë vit ata konkurrojnë për “Lojtarin më të mirë të vitit”.

“Globe Soccer awards” bën pjesë në edicionin e 16-të të “Dubai International Sports Conference”, ku të fituar specialë janë Robert Levandovski, “Lojtari më i mirë” i vitit të kaluar dhe në garë edhe këtë vit, si dhe Kilian Mbape, edhe ai në listën e finalistëve.

Mes temave që do të diskutohen janë ato të rolit të teknologjisë së re, si dhe çështja delikate e pandemisë së Covid-it, që ka shkaktuar shtyrje të tjera ndeshjesh në gjithë Europën, ndërsa në Gjermani dhe Belgjikë janë mbyllur stadiumet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë