Ekspozite

GKA mbyll konkursin “Onufri” dhe nis rikonceptimin

Pavarësisht pyetjeve të gazetarëve nëse do të kishte një datë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri dhe pavarësisht thirrjes së artistëve për të mos e mbyllur traditën që nisi në fund vitet ’90, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli ka preferuar të heshtë. Deri sot. Një ditë para Krishtlindjes, përmes një njoftimi për shtyp është bërë e ditur se Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” vendim që duket se shënon edhe hapin e parë të rikonceptimit të programit artistik të këtij institucioni. Një aktivitet që sipas drejtorit dhe bordit artistik të GKA-së e ka përmbushur misionin e tij, atë të ndërveptimit të skenës vendase me atë ndërkombëtare.

Po ashtu, sipas njoftimit anëtarët e këtij bordit që përbëhet nga Eleni Laperi, në rolin e kryetares, Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj dhe Xhoana Agolli, ndajnë mendimin e drejtorit Shkololli se GKA ka nevojë për formatim dhe qasje të re, siç thuhet në njoftim “që do të jetë në hap me zhvillime të reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë”. Duket se vendimi ka gjetur dakordësinë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.Nuk është hera e parë që ky konkurs ka parë mbylljen. Më 2014 Ministria e Kulturës vendosi ta mbyllë “Onufrin”, por përmes një dialogu të hapur me publikun, duket se ministria u tërhoq nga vendimi, duke e rihapur më 2015-ën.

Nga ekspozita ONUFRI XXIII, dhjetor 2017- janar 2018

Për vite me radhë konkursi “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike, por sipas bordit artistik dhe drejtorit Shkololli, me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Sipas tyre, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj, në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës. Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë, të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori.

Nga Onufri XXIII, i vitit 2017-2018
ONUFRI XXI, 2015, titulluar "Arsyeja e Brishtësisë".

Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vetë vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë, kanë qenë disa nga argumentet e paraqitur rreth vendimit për mbylljen e kësaj ngjarjeje kulturore, ku çmimi “Onufri” ka qenë për vite me radhë një nga më të rëndësishmit në fushën e arteve pamore, në Shqipëri. Vitin e kaluar, në edicionin e 23-të të tij, Ekspozita , titulluar “Au fil du temps”, kishte në thelb të saj kujtesën kolektive dhe qëndroi e hapur për publikun nga 20 dhjetori i 2017-ës , deri më 30 janar të këtij viti. Kuruar nga italiani Gaetano Centrone ishin dhjetë artistë pjesëmarrës nga gjashtë vende si Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa dhe Fani Zguro.Rikonceptimi i programit artistik, sipas bordit artistik dhe drejtorit Erzen Shkololli synon ta kthejë Galerinë Kombëtare të Arteve në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar. Ndryshimet pritet të shihen vitin që vjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë