Futboll

Gjysmëfinalet e Kupës, Kukësi me Skënderbeun, Tirana peshkon Luftëtarin

Është hedhur në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti për fazën gjysmë finale të Kupës së Shqipëri. Nga golat e tërhequra nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe shefi i sektorit të garave, Lysien Nurishmi, janë vënë përballë Tirana me Luftëtarin dhe Skënderbeu me Kukësin.

Ndeshjet e para do të luhen më datë 24 prill, ndërsa ato të kthimit dy javë më pas më 8 maj. Në ndeshjet e para do të jenë pritës ekipet e Kukësit dhe Luftëtarit. Sakaq finalja e madhe do të luhet më datë 2 qershor.

Kjo formulë e zgjedhur nga FSHF për të hedhur short edhe për ndeshjet gjysmëfinale u përdor me qëllimin për të evituar çdo aleancë të fshehtë apo bashkëpunim mes klubeve. Kupa e Shqipërisë është turneu i dytë më i rëndësishëm i i futbollit shqiptar pas kampionatit. Përveç mundësisë që iu jep këtyre klubeve për ta mbyllur sezonin me një trofe. Duke qenë se kampionatin Partizani është me një dorë të titulli, Kupa është një mundësi e mirë për këto katër ekipe që të sigurojnë edhe një biletë për në Kupat e Europës. Një vlerë më të veçantë merr për ekipe si Tirana, Skënderbeu dhe Luftëtari, pasi Kukësi është në pozita komode në Superligë dhe mund të shkojë në Europë edhe si nënkampion.

Menjëherë pas hedhjes së shortit kanë folur përfaqësuesit e klubeve, që nuk kanë shfaqur pakënqësi për shortin, por janë shprehur optimistë për të shkuar në finale.

Drejtori i Tiranës, Arbi Laçi ka thënë se e respektojnë Luftëtari, por se bardheblutë synojnë Europën përmes Kupës. “Shorti më pëlqeu, Luftëtarin e kemi rival edhe në kampionat. Objektivi është Europa nëpërmjet Kupës, por natyrisht jemi të fokusuar te kampionati”.

Optimist është shfaqur edhe Artur Dedaj i Luftëtarit, që ka nënvizuar në fjalën e tij faktin se ekipi gjirokastrit është mësuar të fitojë me skuadrat e kryeqytetit. “Më pëlqeu shorti, ua kemi marrë dorën ekipeve të kryeqytetit. Interesante është se me Tiranën jemi rivalë për mbijetesë. Kemi shpresa të kalojmë në finale të Kupës. Kemi shumë besim për mbijetesën edhe në Kupën e Shqipërisë. Kemi mundur Partizanin në Tiranë, pse të mos e kalojmë edhe Tiranën e ta fitojmë trofeun”.

Sakaq për ndeshjen tjetër gjysmëfinale, mes Kukësit dhe Skënderbeut, të dy drejtuesit e klubeve kanë shpalosur ambiciet e tyre për të shkuar në finale dhe ta mbyllin me një trofe këtë sezon. Drejtori i Kukësit, Nexhipi tha se do të ketë shumë rëndësi ndeshja e parë dhe Kukësi nuk i druhet aspak Skënderbeut. “Do të bëjmë maksimumin që ta mbyllim me trofe sezonin. Ndeshja e parë, me shumë mundësi do të luhet në Elbasan. Skënderbeu? Dihen cilësitë e tij, janë dy ndeshje mjaft delikate dhe me rëndësi, do të jetë betejë deri në fund”.

Ndërsa drejtuesi korçar, Oldi Lulja tha se ndeshja me Kukësin do të jetë shumë e fortë, por Skënderbeu synon ta mbrojë trofeun e Kupës që e fituan vitin e shkuar. “Përballje e fortë, e bukur dhe që do të ofrojë emocione. Skënderbeu është fituesi në fuqi i Kupës dhe të jeni të sigurt që do të qëndrojë aty. Klubi ka pasur disa luhatje, por në këtë moment jemi në formë. Është normale të na kenë frikë në Kupë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë