Politike

Gjyqi për ‘vulën’, Ivi Kaso tregon dy opsionet e Apelit dhe pakënaqësinë me Gjykatën e Lartë: Duhet të merrte vendimin final

Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha, është shfaqur entuziaste pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë për atë që njihet si çështja e vulës së PD-së. Sipas tyre, argumentat e dhënë në vendim të çojnë tek njohja si legjitime e organeve të dala nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021, që shkarkoi Lulzim Bashën nga kreu i PD-së. Por problemi i tyre është koha, duke qenë se zgjedhjet janë pak më shumë se 1 vit larg. Sekretari Ligjor, Ivi Kaso, i cili e mbron çështje në gjykatë, thotë në një intervistë për Gazetën Si se rikthimi i çështjes në Apel nuk është ndonjë favor për PD-në. “Nëse Gjykata e Lartë do të kishte marrë vetë një vendim përfundimtar, pa e rikthyer në Apel, do të duhej të përgëzohej. Por Gjykata e Lartë vendosi ta kthejë çështjen në Apel, duke tentuar, me shumë gjasa, që ta çojë zgjidhjen përfundimtare në kalendat greke.”- shprehet Ivi Kaso me mosbesim tek organet e drejtësisë. Megjithatë, në lidhje me brendinë e argumentave, Sekretari Ligjor i PD të zotit Berisha beson se gjithçka është në favor të tyre dhe se Gjykata e Apelit ndodhet para 2 zgjedhjeve të thjeshta që e zgjidhin menjëherë çështjen e legjitimitetit të PD-së.

Gazeta Si: Gjykata e Lartë zbardhi vendimin përmes të cilit urdhëron Gjykatën e Apelit të vendosë për çështjen e legjitimitetit të organeve drejtuese të PD, i njohur si procesi i vulës. Çfarë të rejash sjell zbardhja e vendimit?

Ivi Kaso: Vendimi i zbardhur i Gjykatës së Lartë për çështjen e paraqitur nga PD, lidhur me rregjistrimin e vendimarrjeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit 2021, i hap rrugën dhe urdhëron Gjykatën e Apelit të zgjidhë njëherë e mirë këtë çështje. Prej 2 vitesh, ajo zvarritet në dyert e gjykatave dhe vendimarrja e Gjykatës së Lartë bën të mundur që Gjykata e Apelit ta shqyrtojë me gjithë kompleksitetin e saj dhe të vendosë pa zvarritje të mëtejshme, pa u kthyer në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Gazeta Si: Pse thuhet se nga zbardhja e vendimit, Gjykata e Lartë ka rrëzuar Lulzim Bashën si kryetar të PD?

Ivi Kaso: Arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, duke prishur vendimin e Apelit, 3 mars 2023, dhe duke e rikthyer çështjen në po të njëjtën gjykatë, në Apel, praktikisht rikthen në fuqi vendimin e 25 marsit 2022, që ka certifikuar vendimarrjet e Kuvendit 2021. Sot që flasim janë në fuqi vendimet e Kuvendit të 11 Dhjetorit, që formojnë organet e reja drejtuese të PD-së, shkarkojnë Lulzim Bashën si kryetar të PD-së dhe miratojnë simbolet e reja identifikuese të PD-së. Pra, është në fuqi ai që njihet si vendimi i gjyqtarit Zhukri, derisa Gjykata e Apelit të shprehet përfundimisht.

Gazeta Si: Ku e bazoni argumentin tuaj se në procesin e njohjes së Kuvendit të Rithemelimit nga Gjykata e Shkallës së Parë, PD e Bashës nuk duhet të ishte përfshirë si palë?

Ivi Kaso: Argumenti ynë nuk është se në procesin e njohjes së vendimeve të Kuvendit të 11  Dhjetorit 2021  të PD, “PD”-ja e Lulzim Bashës nuk duhet të ishte palë. Argumenti ynë, është se asnjë organ i PD nuk ka kërkuar që të bëhet palë e atij procesi verifikimi gjyqësor të ligjshmërisë së vendimarrjes së Kuvendit. Së dyti, siç argumentohet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë thuhet se është natyra e vetë këtij certifikimi gjyqësor të vendimarrjeve të partive politike që nuk parashikon shqyrtimin me disa palë të një kërkese të tillë. Natyra e gjykimit, siç e përshkruan Gjykata e Lartë, është ajo e një gjykimi gracioz, pra të një shqyrtimi ligjshmërie mbi bazë dokumentash të një kërkese që organet drejtuese të një partie, në këtë rast Kuvendi Kombëtar, i drejton Gjykatës së Tiranës. Kështu ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por në 30 vite pluralizëm, sa herë që organet drejtuese të një partie, marrin vendime të rëndësishme dhe duan t’i pasqyrojnë këto vendimarrje në Gjykatë.

Gazeta Si: A ndikon ky vendim i Gjykatës së Lartë në procesin, që pritet të zhvillohet në Apel?

Ivi Kaso: Vendimi i sapozbardhur i Gjykatës së Lartë, sigurisht ndikon në shqyrtimin e çështjes në Gjykatën e Apelit, sepse, në radhë të parë, në dispozitivin e tij përmban urdhërimin që duhet të jetë kjo gjykatë, e cila duhet të marrë në shqyrtim çështjen dhe jo Gjykata e Shkallës së Parë, siç ishte parashikuar në vendimin e  Gjykatës së Apoelit. Së dyti, vendimi i Gjykatës së Lartë përmban udhëzime dhe detyra specifike që Gjykata e Apelit do të duhet t’i zbatojë, veçanërisht ato që i përkasin verifikimit të legjitimitetit të atyre që kanë paraqitur ankimin pranë Gjykatës së Apelit. Pra, përpara se të shqyrtojë themelin e çështjes, Apeli do të duhet të verifikojë dy rrethana: nëse Lulzim  Basha dhe PD e vulës ka patur legjitimitetin të adresojë këtë çështje në Gjykatën e Apelit apo kjo çështje duhet të mos kalojë fare në shqyrtim themeli, për shkak të mungesës së legjitimitetit të dikujt që nuk ka qenë pjesë e shqyrtimit në shkallën e parë.

Gazeta Si: Po mbani dy standarde me drejtësinë? Kur ju intereson, bën vendime të drejta, si në këtë rast dhe, kur s’ju intereson është e kapur nga Rama?

Ivi Kaso: Unë nuk besoj se PD ka mbajtur dy standarde me drejtësinë, por është konseguente me qendrimet e saj lidhur jo vetëm me reformën në drejtësi, por edhe me institucionet e reja të krijuara të sistemit të drejtësisë.  Në pjesën dërrmuese të tyre, këto institucione janë populluar me persona që kanë një background aktiv politik, të gjithë të lidhur me partinë në pushtet ose direkt me Ramën. PD, edhe pas kësaj vendimarrje të rëndësishme të Gjykatës së Lartë nuk ka thirrur kurrë “Fitore” dhe nuk  e ka përgëzuar këtë vendim si të drejtë. Së pari, është një vendimarrje e vonuar. Kujtojmë që në bazë të ligjit, çështja duhej të shqyrtohej brenda 30 ditëve dhe është shqyrtuar pas më shumë se 9 muajsh, ndërsa me zbardhjen, u mbushën pothuajse 1 vit i plotë. Pra, nuk ka asnjë favor për ne. Së dyti, vendimarrja e Gjykatës së Lartë do të kishte qenë e drejtë dhe pozitive, nëse do të kishte qenë një vendimarrje finale, e cila t’i jepte njëherë e mirë fund kësaj odiseje të legjitimitetit të organeve drejtuese, të logos dhe të vulës të partisë më të madhe të opozitës. Nëse Gjykata e Lartë do të kishte marrë një vendim përfundimtar, sigurisht, do të duhej të përgëzohej. Megjithatë, nën presion të lartë politik nga maxhoranca, të cilës i intereson diversioni brenda opozitës, Gjykata e Lartë vendosi ta kthejë çështjen në Apel, duke tentuar, me shumë gjasa, që ta çojë zgjidhje përfundimtare në kalendat greke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë