Gjykata Supreme ka shuar sot përfundimisht shpresat e ish-kryeministrit Albin Kurti për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbetur jashtë listës, pasi është dënuar 3 vitë më parë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kosovë.
Në vendimin e Supremes thuhet se dy kandidatët e tjerë për deputetë Liburn Aliu dhe Labinot Demi Murtezi, do të mund të kandidojnë, por jo Albin Kurti, duke hedhur kështu poshtë ankesën e VV-së ndaj KQZ-së.
Vetëvendosje, e cila parashikohet të dalë sipas sondazheve partia e parë në këto zgjedhje të parakohshme, ashtu si në vitin 2019, përfaqësohet tanimë nga Vjosa Osmani, e cila ishte e dyta në listë pas ish-kryeministrit. Vendimi i Kushtetueses e ka vënë Vetvendosjen në pozicionin më delikat që nga krijimi i kësaj partie, duke u udhëhequr nga kundërshtarja politike e zgjedhjeve të kaluara.
Analistët në Kosovë thonë se Kurti ishte i vetëdijshëm se do të “përjashtohej” nga KQZ-ja, por prapë e vuri emrin të parin në listë, në përpjekje për të mos humbur pikë në sytë e publikut. Vetëvendosje nuk ka pranuar ende ta heqë emrin e tij nga lista, duke bërë që KQZ të mos certifikojë listën e kandidatëve të kësaj partie. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Nisma dhe AAK-ja , të cilat po ashtu nuk kanë pranuar të fshinë emrat e kandidatëve të dënuar nga lista.
Albin Kurti mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë si deputet, megjithatë kjo nuk e pengon atë të zgjidhet kryeministër. Si fitues i zgjedhjeve, Kurti mund të ulet në karrigen e kryeministrit edhe pse nuk mund të kandidojë nën siglën e Vetëvendosjes. Ajo që do të “përfaqësojë” Vetëvendosjen duke garuar me siglën e saj duket se do të jetë Osmani, duke lënë kështu në hije zyrtarët e tjerë të Vetëvendosjes dhe vetë Kurtin, i cili mund të detyrohet t’i ndjekë këto zgjedhje nga ekrani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.