Ngjarje

Gjykata shfryn “Mezhgoranin”, lirohet Henri Çili

Gjykata e Përmetit ka dhënë masat e sigurisë për 30 të ndaluarit e operacionit “Mezhgorani”. Trupi vlerësues i masës së arrestit ka liruar botuesin Henri Çili, duke i dhënë masën “detyrim paraqitjeje”. Çili u arrestua nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës.
Po kështu, ndër të tjerë, Gjykata e Përmetit vendosi për Shpresa Gjocajn detyrim paraqitjeje, Besnik Fishtën arrest shtëpie, Ilir Korbin arrest shtëpie, Liko Jazin detyrim paraqitjeje, Renato Toskën detyrim paraqitjeje, Kejsi Meçon detyrim paraqitjeje, Edmond Xakën detyrim paraqitjeje, Kristina Bashin detyrim paraqitjeje, Lisandër Alikollarin detyrim paraqitjeje, Entilon Kamberajn detyrim paraqitjeje, Abaz Danin detyrim paraqitjeje, Daniel Yzeirajn detyrim paraqitjeje.

Për dy prej të arrestuarve, Ilir Korbin dhe Besnik Fishtën, u mor masa arrest shtëpie. Kurse arrest me burg Gjykata e Përmetit i dha për: Amarildo Aliko; Eraldjan Hodo; Xhevair Sejati; Neuland Miçi; Skënder Toska; Armando Hajdinaj; Sidi Ramaj; Erment Beqaraj; Askerd Malke; Elidon Alikollari; Ervin Çela; Antonio Hasa; Adriatik Brakaj; Aristidh Çoli; Klea Pëllumbi; Kladi Dervishi.
Ndërkohë për dy prej të arrestuarve masa e sigurisë do të caktohet nesër. Për Betim Shkupin do të jepet nga një tjetër gjyqtar për shkak të konfliktit të interesit ndërsa për biznesmenin Sait Fishta për shkak se është i shtruar në spital.
Seanca e sotme në Përmet ka zgjatur rreth 7 orë. Botuesi Henri Çili deklaroi në seanca se çështja ndaj tij është ndërtuar mbi mungesë kompetence juridiksioni dhe asnjë prej akuzave nuk qëndron pasi Henri Çili është pronar i një studioje ligjore. Sipas tij studioja ligjore ia legjitimon ndërmjetësimin dhe biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së tij.

Botuesi, analisti dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili është arrestuar nga policia për 6 akuza si “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.
Henri Çili u ndalua mbrëmjen e 27 shkurtit dhe shefi i policisë, Ardi Veliu doli enkas në një konferencë për mediat ku dha detaje për operacionin e zhvilluar. Veliu tha se operacioni ishte zhvilluar në disa qarqe si Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër dhe se vjen pas një hetimi 6-mujor nga Prokuroria e Përmetit. Aksioni i policisë mori shtysë nga përgjimet për të arrestuar disa të dyshuar për trafik kanabisi, dhe çoi në pranga botuesin dhe pronarin e UET-së, Henri Çili dhe 27 persona të tjerë deri më tani.
Prokuroria i kishte përgjuar për 6 muaj. Adil Aliko, i arrestuar sot, komunikonte në telefon me Henri Çilin dhe pedagogun dhe juristin e UET, Ilir Korbi, në përpjekje për t’i ndryshuar dënimin me burg dy djemve të tij, Arbion Aliko dënuar përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe Albanit dënuar me 17 vite e 6 muaj.
Këto ndërhyrje te gjyqtarët dyshohet se janë bërë në këmbim të një sipërfaqeje toke në Gjirokastër dhe një shumë parash, që Adil Aliko ia ka dhuruar Çilit për ndihmën ndaj djemve.
Edhe Ilir Korbi, juristi i Universitetit Europian të Tiranës, u vu në pranga për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.
Bashkëpunëtor tjetër ishte dhe biznesmeni Seit Fishta, 60 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë