Drejtësia

Gjykata pezullon dy prokurorë të SPAK: KLP shkeli procedurat gjatë vlerësimit të tyre

Gjykata e Apelit Administrativ të Tiranës ka pezulluar nga detyra dy prokurorë të SPAK pas padisë së ngritur nga prokurorja Sonila Muhametaj.

Prokurorët e posaçëm të pezulluar janë Elvin Gokaj dhe Alfred Shehu, të zgjedhur që të dy në SPAK nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në dhjetor të vitit të kaluar, por që gjykata e Apelit e ka konsideruar si të pavlefshëm.

Gogaj, Shehu dhe Muhametaj kandidonin për dy vende vakante në SPAK. Pas shqyrtimit të kandidaturave, KLP renditi Elvin Gokajn me 216 pikë, Alfred Shehun me 211 dhe Sonila Muhametajn me 208 pikë.

Muhametaj pretendoi për padrejtësi në procesin e vlerësimit, sidomos të aftësive profesionale dhe e paditi çështjen në gjykatën Administrative të Tiranës.

Gjykata ia ka pranuar ankimin dhe ka theksuar se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është dhënë duke ndjekur procedurat e rregullta. Për rrjedhojë është shpallur e pavlefshme renditja e garuesve dhe emërimi i dy prokurorëve.

Gjatë procedurës së zgjedhjes së këtyre dy emrave, KLP e zhvilloi procesin e intervistimit me dyer të mbyllura, duke nxitur kritika për mungesë transprance. Elvin Gokaj dhe Alfred Shehu u emëruan, ndërsa Sonila Muhametaj, ish-prokurore e Krimeve të Rënda u radhit e treta.

Prokurori Elvin Gokaj, që u radhit i pari në këtë gari, gjatë procesit të vettingu ngeli në kriterin e aftësive profesionale. Sipas vlerësimit të Komisionit të Pavarur të Kualfikimit e pezulloi prokurorin Gokaj nga detyra për “njohuri dhe aftësi të cekëta dhe gjykim të dobët për kryerjen e procedurave”, “njohuri të cekëta dhe gjykim të dobët në analizimin e provave” dhe një sërë problemesh të tjera.

Por, KPK nuk e përjashtoi nga sistemi, por e riktheu në Shkollën e Magjistraturës. Gokaj e ankimoi vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por që nuk u shqyrtua asnjëherë pasi ai e përfundoi ritrajnimin njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Prokurori tjetër, Alfred Shehu u bë i njohur në konferencën për shtyp pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ku u akuzua se fshehu gjetjen e materialeve zgjedhore në makinën e një personi me precedentë penalë i përfshirë në fushatë për Partinë Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë