Politike

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për pezullimin e arrestimit të Sali Berishës (vendimi)

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të mërkurën në mesditë kërkesën e 30 deputetëve të PD-së që në thelb kërkonin pezullimin e masave shtrënguese të Berishës nga GJKKO.

Firmëtarët e grupit ‘Bardhi-Berisha’ pretendonin se masa e marrë ndaj Sali Berishës, “detyrim paraqitje”, më 20 tetor nga GJKKO, është antikushtetuese pasi është marrë pa u kërkuar paraprakisht autorizim nga Kuvendi.

Për këtë arsye ata kërkonin edhe interpretimin e Nenit 73 të Kushtetutës, në mënyrë që konflikte të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.

Por Gjykata Kushtetuese nuk e ka legjitimuar kërkesën, duke argumentuar se atyre nuk u janë cenuar drejtpërdrejt interesat.

Kushtetuesja sqaron se gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve në rastin konkret mes Kuvendit nga njëra anë dhe SPAK dhe GJKKO nga ana tjetër.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ankimimi duhet të ishte bërë nga Kuvendi dhe jo 1/5-a e deputetëve.

Sipas Kushtetueses, 1/5 e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njëri tjetrin, që do të thotë se në këtë rast ky grup deputetësh nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.

"Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë...

Për këto arsye, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre", thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Në vendim thuhet se Berisha mund t’i drejtohet personalisht Gjykatës Kushtetuese pasi të kenë përfunduar tre hallkat e gjyqësorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë