Dosje

Gjykata kthen çështjen për hetimet e vrasjes së Katcifas, familjarët: Drejtësi në Strasburg

Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë në lidhje me pushimin e hetimeve për vdekjen e Konstantinos Katcifas 3 vite më parë.

Përmes një njoftimi, gjykata thekson se ka vendosur kthimin e çështjes, duke urdhëruar kryerjen e hetimeve të tjera sipas parashikimeve ligjore.

“Në vijim të interesimit të medias për çështjen penale për ngjarjen e datës 28.10.2018 në fshatin Bularat/Dropull, prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ju informon se pas kërkesës së prokurorisë për pushimin e çështjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si organi kompetent, ka vendosur kthimin, duke urdhëruar kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore sipas parashikimeve ligjore. Aktualisht çështja ndodhet në fazën e përmbushjes së këtyre detyrimeve”, thuhet në vendim.

Kostandinos Katsifas dhe nëna e tij

Thuajse tre vite pas incidentit në Bularat, ku Katsifas, mbeti i vdekur në vend, prokuroria vendosi të kërkojë pushimin e kësaj çështjeje.

Sipas burimeve, nga ekspertiza mjeko-ligjore e trupit dhe ekspertimit balistik të armës automatike, është arritur në përfundimin se Kasifas ka kryer vetëvrasje.

Për vendimin e kërkesës për pushimin e çështjes nga ana e Prokurorisë, ka reaguar edhe familja e Konstandinos Katcifas.

Mediat greke raportojnë se familja e 35-vjeçarit të vrarë ndihet e zhgënjyer dhe e hidhëruar nga drejtësia shqiptare, e cila e shpalli vdekjen e Katcifas si vetëvrasje.

"Ne nuk morëm asnjë përfundim zyrtar në duart tona. Erdhi nga Prokuroria  një letër që flet për vetëvrasje të fëmijës tonë me dy vrima në fytyrë. Në pamundësi për ta mbyllur çështjen, ata shpallën vetëvrasje pas tre vjetësh. Ajo që po ndodh është e papranueshme. E vërteta duhet të dalë në dritë dhe ne do të arrijmë deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut", - tha nëna e 35-vjeçarit, Vasiliki Katcifa, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të publikojnë videon e operacionit.

Sipas saj, "nëse ai bëri vetëvrasje siç thonë ata para forcave RENEA, le ta publikojnë videon nga kamerat. Por ata nuk e bëjnë, sepse e vërteta është ndryshe ”, thekson ajo.

Prindërit e Kostandinos Katsifas

Nëna e 35-vjeçarit thotë se djali i saj “humbi jetën, sepse mbrojti të drejtën e tij për të ngritur flamurin grek në vendin e tij. Unë dua që e vërteta të dalë në dritë. Ata e vranë fëmijën tim dhe nuk mund të shpjegonin me fakte pse. Lufta jonë vazhdon”.

Më 28 tetor 2018, në fshatin Bularat të Gjirokatrës, gjatë kohës që mbahej ceremonia përkujtimore e “JO”-së greke ndaj ultimatumit të Benito Musolinit, ndodhi një incident i rëndë.

Kostandinos Katcifa, pasi kishte terrorizuar fshatin, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, shtiu edhe ndaj policisë shqiptare dhe pas disa orësh betejë me forcat e rendit, gjeti vdekjen.

Rasti “Katsifas” shkaktoi reagime në Athinë, ndërsa autoritetet shqiptare  shpallën dhjetëra persona “non grata”. Ngjarja ndezi edhe më shumë marrëdhënieve mes dy shteteve dhe dy popujve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë