Drejtësia

Gjykata e Posaçme dënon me burg përjetë Laert Haxhiun për ‘Masakrën e Lushnjës’

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë Laert Haxhiun, të akuzuar për atë që njihet si “Masakra e Lushnjës” në shtator të 2017.

Rreth dy javë më parë Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor Laert Haxhiun dhe ta dënojë atë me burgim të përjetshëm, si autori kryesor i ngjarjes së rëndë me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në vitin 2017.

Për avokatin e Haxhiut, Detar Hysi, vendimi i GJKKO-së nuk është objektiv. “Gjykata e Posaçme ka tejkaluar kompetencat duke mos dhënë një vendim objektiv dhe të paanshëm. Thjesht ka skanuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme! Me këtë vendim të ndikuar nga faktorë të jashtëm ka hapur një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjes, duke e kthyer Lushnjen në një Palermo të vërtetë!”, tha avokati.

Haxhiu mbahet i arrestuar në Greqi prej rreth një viti, ndërsa drejtësia shqiptare ka kërkuar ekstradimin e tij, pasi rezulton i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.

Laert Haxhiu së bashku me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, të dënuar me burgim të përjetshëm, akuzohen për “Masakrën e Lushnjës”, ngjarje ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, objektivi i autorëve ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili ishte kthyer në Shqipëri një ditë para këtij krimi. Por pak çaste para ngjarjes, ai u shkëput nga shokët dhe shkoi për tu qethur, duke i shpëtuar kështu atentatit.

Shkak për ngjarjen e Lushnjës, u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen Bare. Banda e Aldo Bares i dogji banesën xhaxhait të Laert Haxhiut, për këtë shkak, ky i fundit vendosi të hakmerret.

Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi dhe pritet vendimi i gjykatës së Apelit nëse do të ekstradohet në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë