Futboll

Gjykata dënon Ronaldon, portugezi shmang burgun me gjobë

Pas Mesit, Marselos dhe shumë futbollistëve të tjerë që kanë luajtur në kampionatin spanjoll, ishte radha e Kristiano Ronaldos që të përballet me ligjin. Sulmuesi portugez akuzohet për shkelje të ligjeve në Spanjë, duke kryer evazion fiskal në shuma të mëdha.
Pas akuzave të ngritura nga prokuroria spanjolle dhe të argumentuara, Ronaldo u detyrua që të pranonte një marrëveshje në mënyrë që të shmangte burgimin. Do të jetë në shifrën e 18.8 milionë eurove gjoba që Ronaldo do t’i paguaj shtetit spanjoll si dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar me shmangien e taksave. Kjo gjobë për të cilën portugezi ka rënë dakord për ta paguar, i eviton atij 23 muaj burgim. Sipas ligjit spanjoll për dënime të tilla nën 24 muaj, që nuk kanë të bëjnë me veprime të dhunshme ndaj pronës apo individëve, dënimi mund të konvertohet edhe në gjobë.

https://twitter.com/twitter/statuses/1087631112820670464

Në momentin e marrjes së këtij vendimi, Ronaldo ka qenë vetë prezent përballë gjykatësit, i shoqëruar nga avokatët dhe bashkëshortja e tij. Para marrjes së këtij vendimi nga gjykata spanjolle, Ronaldo ishte parë i buzëqeshur dhe në humor të mirë. Sulmuesi i Juventus për më tepër nuk ka nguruar që të japë autografe dhe foto për të gjithë fansat që kishin shkuar aty në mbështetje të tij.

Akuzat kundër Ronaldos

Kristiano Ronaldo, pesë herë fituesi i Topit të Artë si dhe një nga lojtarët më të mirë në botë, u akuzua disa vite më parë për shmangien e taksave në Spanjë përgjatë viteve 2010 dhe 2014, kur ai luante te Real Madrid.Çështja ka të bëjë me fitimet e tij nga të drejtat e imazhit. Prokurorët thonë se të pagesat u alokuan nëpërmjet kompanive në vendet e huaja për të shmangur pagesën e taksës së kërkuar në kësi raste nga Tatimet spanjolle. Në gjykatë, si pjesë e marrëveshjes së tij, Ronaldo pranoi katër incidente në shumën prej 5.7 milion euro, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE. Në vitin 2017, kur akuzat u shfaqën së pari, prokurorët thanë se ishte një "shkelje vullnetare dhe e vetëdijshme e detyrimeve të tij fiskale ndaj tatimeve në Spanjë".

Por avokatët e Ronaldos thanë se është e gjitha është një keqkuptim mbi atë që nuk ishte e kërkuar sipas ligjit spanjoll dhe mohuan çdo përpjekje të qëllimshme të Ronaldos për t'u shmangur. Kristiano Ronaldo nuk është i vetmi lojtar i profilit të lartë që të përballet me zemërimin e sistemit tatimor të Spanjës. Ish-shoku i tij i Real Madridit Xabi Alonso pritet të paraqitet në gjykatë, i akuzuar për vepra të ngjashme me përfitime të paligjshme nga të drejtat e imazhit që arrijnë në rreth 2 milion euro. Zgjidhja e kësaj çështje ligjore është një problem më pak me ligjin për Ronaldon, që në muajt e fundit është në qendër të disa denoncimeve për abuzime seksuale me vajza disa vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë