Ana e errët

Ekskluzive / Kush e liroi Vladimir Gjutën dhe historitë e dhunës në qeli që ia toleruan të gjithë

Arrestimi i radhës i Vladimir Gjutës, i moshës 40 vjeç nuk ishte aspak surprizë. “Policia ishte në pritje të çudirave të Gjutës dhe për këtë shkak ai po vrojtohej”, thotë për gazetën “Si” një burim i sigurt. Por askush ende nuk di të pohojë me garanci se për çfarë e mbante me vete armën kuksiani dhe kush ishte objektivi i tij. Ai i kishte lënë qelitë pesë ditë më parë, pikërisht me kërkesë të prokurorisë që më herët kishte kërkuar arrestimin e tij për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Por që çuditërisht ishte e njëjta prokurori që për një vepër të tillë të rëndë u tërhoq, pas një akti të mjekësisë ligjore që vlerësonte se dëmet në trupin e të plagosurit nuk ishin të rënda, por gërvishtje. Ndonëse në bazë të materialeve të policisë që gazeta “Si” disponon, në datë 6 janar 2020, e njëjta prokurori konsideroi që dëmtimet në fytyrën e kushëririt të Gjutës ishin të rënda, sa kohë ai kishte goditur me çekiç të afërmin e tij, duke i dëmtuar dhëmbët dhe sytë. Skema e mjekësisë ligjore është përdorur shpesh në lehtësimin e pozitës të të akuzuarve bashkë me mohimin e të dëmtuarit “që nuk ndjehej i plagosur rëndë”. Kaq ka mjaftuar që prokuroria të ndryshojë qëndrim dhe gjykata të pranojë kërkesën e akuzës, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarit, vendim që është bërë i zbatueshëm në datën 5 shkurt.

Por ndërkohë…

Por ndërkohë Vladimir Gjuta gjendej në qelitë e paraburgimit për ngjarje të tjera të kryera prej tij gjatë ditëve që mbahej te 313-ta. Por prokuroria nuk iu drejtua në asnjë moment gjykatës për masë të re sigurie, ndonëse disa efektivë policie kishin vendosur në dijeni autoritetet për përplasjen me të paraburgosurin. Sakaq, gjykata vlerëson se “urdhërohet lirimi i   menjëhershëm i personit nën hetim nëse nuk mbahet në burg për një shkak tjetër”, shkak i cili as që u vu në dukje në gjykatë.

Konfliktet që u mbajtën në heshtje

Sipas burimeve të sigurta të gazetës “Si”, autoritetet ishin në dijeni të plotë se teksa ia hapnin derën e burgut Vladimir Gjutës, atij po i jepej një liri shumë e parakohshme dhe e pajustifikuar. Gazeta “Si” mëson se gjatë kohës që gjykata urdhëroi lirimin e 40-vjeçarit ai mbahej nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë në Fier, pasi ishte transferuar nga paraburgimi 313. “Ai gjendej në burg brenda burgut”, pohoi një oficer policie i paraburgimit të Fierit, i cili tregoi se i burgosuri kishte sulmuar disa oficerë policie, në episode të ndara nga njëra-tjetra, por për të gjitha këto raste prokuroria ka mbyllur sytë.

Sulmet

Siç konkludohet, pasi është mbyllur pranë 313-ës, fillimisht burgjet e kanë toleruar me justifikimin “se orët e para kushdo që hyn në qeli gjendet në gjendje psikologjike të çekuilibruar”. Por në ditën në vazhdim policia e burgjeve raporton në kartelën e sjelljes së tij se në datën 10 janar, teksa ka qenë i shoqëruar për të kryer telefonatë, në përfundim të saj, Vladimir Gjuta ka tentuar të godasë të paraburgosurin Aleksandër Murataj, dhe incidenti është izoluar menjëherë nga policia e burgjeve. Aleksandër Murataj është vëllai i grabitësit të vrarë të Rinasit, Admir Murataj dhe gjendet në paraburgim për grabitje. Nga kjo ditë, policia raporton orë pas ore edhe në datën 12 veprime kërcënuese të paraburgosurit kur merr ushqimin. Psikologët caktojnë gjendjen e tij mentale dhe dalin në përfundimin, shprehet një burim tjetër i gazetës “Si”,  “axhitim psikotomorr” që përkundrazi diagnozës i burgosuri vlerësohet me aftësi të kuptuari ndaj veprimeve që kryen.

Në datën 13 janar, pas disa raporteve, i  paraburgosuri nxirret në komision disiplinor dhe aty ai kërcënon secilin nga punonjësit e burgjeve tha një burim tjetër i gazetës “Si”. Por të gjitha këto materiale janë raportuar thjesht për vijën e sjelljes së 40-vjeçarit. Situata rezulton të rëndohet më tej në datën 31 janar, një incident për të cilin një punonjës i policisë së burgjeve depoziton kallëzim.

Gazeta “Si” mëson nga burimet se më 31 janar, Vladimir Gjuta kërkon të takojë specialistin e regjimit të brendshëm A. Doçi. Rezulton, thuhet më tej, se sapo specialisti ka hyrë në qeli së bashku me grupin e sigurisë, i paraburgosuri ka filluar ta qëllojë me grushte dhe e ka kafshuar në duar. Ky incident së bashku me raportet e shërbimeve të firmosura nga policia i janë referuar prokurorisë, e cila ndonëse gjykata urdhëroi lirimin e Gjutës me kërkesë të prokurorit, nuk u kujtua për materialet kallëzuese të burgjeve kundër të paraburgosurit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë