Ekspozite

Gjon Mili, një muze fotografik në Korçë me plot emocion. Nuk duhet humbur!

Nëse shkon një fundjavë në qytetin e Korçës, nuk mund të humbasësh një atraksion turistik kulturor; muzeun fotografik “Gjon Mili”.

Muzeu ndodhet në qendër të qytetit, te godina e verdhë ose ndryshe shtëpia rumune.

Muzeu i “Gjon Mili”, i kushtohet fotografit korçar me famë botërore, I cili ka punuar për kopertinat e revistave më të mira në botë, ka fotografuar njerëzit më të rëndësishëm të globit të të gjitha fushave dhe ka shpikur një teknikë të re fotografimi.

Në Muzeun e rikonstruktuar janë ekspozuar 240 fotografi të një nga mjeshtrëve më të mëdhenj të shekullit të XX, thënie të tij e të njerëzve të tjerë, që janë shprehur për të, pjesë nga jeta e tij dhe e kohës që jetoi. Po ashtu pjesë të biografisë së tij.

I lindur në Korçë në vitin 1904, Gjon Mili emigroi bashkë me familjen kur ishte fëmijë (5 vjeç) në Rumani. Mandej kur mbaroi shkollën e mesme emigroi në SHBA. Atje studio në universitetet më të mira duke e kthyer në art pasionin e tij, fotografinë. Si fillim ai kreu studimet për inxhinier ndriçimi në universitetin MIT.

Në muzeun e Korçës “Gjon Mili” paraqitet qartë në formën e fotografive autobiografike të shoqëruara me shkrime rrugëtimi professional dhe jetësor i Milit.

Në muze shfaqet edhe një dokumentar që përmbledh biografinë e fotografit shqiptar me famë botërore.

“Gjon Mili” në Korçë është një muze që të informon, kulturon, por të mbush shpirtërisht dhe të emocionon pafund sepse të përcjellë historinë jetësorë me ulje-ngritje dhe mungesa shpirtërore të një njeriu dhe profesionisti të madh.

Ai nuk mundi të kthehet dot në Shqipëri edhe pse e donte shumë. Por mundi të fotografonte në Paris, ish diktatorin Enver Hoxha.

 Pasioni për fotografinë, syri artistik si dhe studimet shkencore të kryera në fushën e ndriçimit, i dhanë mundësinë të hynte në histori si fotografi i parë që përdori “flashin elektronik” apo “dritën stroboskopike”. Që prej vitit 1939 filloi të bashkëpunonte me revistën “Life”, me të cilin bashkëpunoi deri në fund të jetës të tij, në vitin 1984, Përgjatë këtyre viteve emri i Milit mori famë ndërkombëtare për shkak të stilit të spikatur, lëvizjes së dukshme në foto, si edhe personazheve të njohur të cilët fotografoi, ku vlen të përmendet seria e fotove të bëra piktorit Pablo Pikaso.

Nëse shkoni në muze, do të keni mundësi të bëni një fotografi si kujtim me teknikën e shpikur nga Gjon Mili.

Nëse nuk mundeni të shkoni në Korçë, mund ta shihni on line në 3D në linkun e mëposhtëm.

https://kultura.gov.al/3dsite/muzeu-gjon-mili-korce/?lang=en


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë