Arsimi

Gjobë mësuesve që nuk raportojnë fëmijët që shikojnë faqe të dëmshme në internet

Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ngarkon me përgjegjësi ligjore mësuesit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, që të raportojnë të gjitha rastet kur vërejnë se fëmijët lundrojnë në internet në faqe me përmbajtje të paligjshme, ose të dëmshme për moshën e tyre.

Me “përmbajtje e paligjshme” udhëzimi nënkupton çdo pamje, imazh dhe material tjetër, që qarkullon në internet me grup audience madhore, siç janë faqet pornografike, apo materialet e tjera të dhunshme që qarkullojnë edhe nëpër rrjetet sociale.

Udhëzimi i firmosur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përcakton se çdo mësues, mësues ndihmës dhe çdo punonjës tjetër i institucionit arsimor, si psikologu, punonjësi social, oficeri i sigurisë dhe sekretari, në rast se në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar publik, ose privat vërejnë një nxënës që është duke aksesuar në internet përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme për moshën e tij, ka detyrimin të raportojë pranë drejtorisë së institucionit arsimor, institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, organeve të Policisë së Shtetit dhe strukturave vendore të mbrojtjes së fëmijës.

Rruga përmes të cilës kryhet raportimi është çdo mjeti komunikimi, që nga telefoni, posta tradicionale dhe elektronike, ose në formë shkresore tek eprorët, apo tek policia. Udhëzimi përcakton se brenda 24 orëve nga raportimi, drejtori i institucionit arsimor duhet të raportojë rastin tek strukturat e mbrojtjes së fëmijëve.

Neglizhimi, apo refuzimi për të denoncuar këtë fenomen në mjediset shkollore, sipas këtij udhëzimi përbën kundravajtje administrative, që mund t’i kushtojë mësuesit përgjegjës nga 600 mijë deri në 800 mijë lekë të vjetra gjobë. Po ashtu, gjoba parashikohet edhe për institucionet arsimore, që variojnë nga 600 mijë deri në 1 milionë lekë të vjetra.

 

Më Shumë