Futboll

Gjobë, heqje pikësh dhe zbritje nga kategoria, çfarë rrezikon Juventusi!

Gazeta Si – Juventusi në rrezik, kërkohet ndëshkim maksimal për klubin e njohur italian nga të gjitha krahët. Prokuroria Federale ka në duar kartat e hetimit Prisma. Ajo do të vlerësojë, nëse janë kushtet për hapjen e një hetimi të ri, ku mund të jetë përcaktuese ‘fija’ e pagave.

Mes sanksioneve që parashikon kodi i drejtësisë sportive në rastet e ndryshimit të bilanceve është edhe rënia nga kategoria. ‘Tërmeti’ i fundit, që solli largimin e presidentit Andrea Anjeli dhe stafit të tij, mund të ketë efekte të rëndësishme edhe në planin sportiv.

Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, dhe stafi i tij, tashme te larguar. Gazeta Si, 30 nentor 2022

Çfarë rrezikon klubi torinez në kampionat? Pas mbylljes së hetimeve të Prisma, Prokurori Giuseppe Chiné duhet të analizojë çdo faqe për të kuptuar dy gjëra thelbësore: nëse janë kushtet për "revokim" të sentencës, që në Gjykatën federale të Apelit kishte akuzuar 11 klube dhe 59 drejtues për plusvalenca, si dhe nëse duhet hapur një fashikull i ri për çështjen e shkresave private mes klubeve dhe lojtarëve.

Fija e parë e hetimeve ishte ajo e drejtuesve të Juventusit, tashmë të larguar. Nëse nga aktet e Prokurorisë së Torinos dalin përgjime, apo elementë të tjerë që provojnë shkeljet (si në rastin e Kievos), situata është mjaft delikate. Fija e dytë është ajo që lidhet me shkresën private të nënshkruar me Ronaldon dhe pagat e pezulluara për shkak të Covid-it.

Kjo pistë do të analizohet me kujdes dhe mund të jetë përcaktuese për hapjen e një fashikulli të ri. Nëse verifikohen të dyja rrethanat dhe fija e pagave njihet si element i ri në hetimin e parë, mund të vazhdohet me një hetim të vetëm kundër Juventusit dhe drejtuesve të tij në Gjykatën federale.

Juventusi feston fitoren ndaj Interit. Gazeta Si, 30 nentor 2022

Sanksionet për shkelje administrative janë të parashikuara në kodin e drejtësisë sportive. Skenarët janë të ndryshme, ato parashikojnë heqje pikësh në klasifikim e deri në zbritje një kategori më poshtë. Nëse ndryshimet në bilanc nuk kanë qenë vendimtare për regjistrimin në kampionat, atëherë Juventusi mund t’ia hedhë vetëm me gjobë të majme.

Penalizimi në pikë mund të vijë vetëm për ceshtjen e shkresave private. Dhe në këtë pikë janë të rrezikuar edhe lojtarët, të cilët mund të skualifikohen jo më pak se një muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë