Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një deklarate për mediat për shtyp, ka bërë të ditura të tjera masa që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Manastriliu tha se i ka propozuar Këshillit të Ministrave mbylljen e të gjitha lokaleve, bareve e restoranteve, në Tiranë e Durrës deri në një njoftim të dytë. Bizneset që nuk zbatojnë këtë urdhër, do të gjobiten me 20 milion lekë të vjetra.
“Duke kërkuar mirëkuptimin e gjithsecilit, në këtë betejë që do ta fitojmë vetëm nëse e përballojmë së bashku, ju bëj me dije se në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me vendim te Komitetit te Eksperteve i kam propozuar Këshillit të Ministrave përshkallëzimin e masave si më poshtë:
- Mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht.
- Caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë Urdhërin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetare qe nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës.
- Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij.
- Vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik.
- Reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës! Sa me sipër, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për familjet e punonjësve tuaj.- tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




