Drejtësia

GJKKO zbardh vendimin për ‘arrestin në shtëpi’ të Berishës: Nuk zbatoi qëllimisht detyrimet ligjore. Mund të ndërhyjë, të prishë e asgjësojë provat

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka zbardhur sot vendimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv "Partizani".

Raporti, i cili pritet që nesër të tërhiqet nga avokatët e tij dhe t’i dorëzohet ish-kryeministrit, thotë se Berisha nuk ka respektuar ligjin, teksa zgjodhi që të mos paraqitej në Gjykatë, sipas masës që ishte caktuar më herët, duke krijuar mosbindje ndaj autoritetit të gjykatës.

“Në çështjen konkrete objekt shqyrtimi, rezulton se shtetasi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të qëllimshme, nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit", thuhet në vendimin e gjykatës.

Po ashtu thuhet se për shkak të funksioneve dhe influencës së personave të tjerë, mund të ndërhyjë dhe të prishë e asgjësojë provat.

“Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë. Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës”, vijon vendimi.

GJEDNJ ka theksuar se mbrojtja e shtuar, nga e cila përfiton fjalimi politik në një shoqëri demokratike, gjithashtu rrit detyrat dhe përgjegjësitë.

Kështu, ashtu si politikanët në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije dalin në mënyrë të hapur për shqyrtimin e fjalëve dhe veprimeve  të tyre nga gazetarët dhe publiku në përgjithësi, ata duhet të shfaqin një shkallë më të madhe të tolerancës.

Politikanët, duke përdorur të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes, shpesh mund të bëjnë deklarata publike që janë të ndjeshme ndaj kritikës ose synojnë të jenë provokuese dhe të ngjallin reagime të forta.

Për sa më sipër, gjykata çmon të nënvizojë diferencimin midis funksionit të të hetuarit Sali Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (e në këtë kuadër dhe lirisë së shprehjes politike të tij) dhe pozitës së tij proceduriale në këtë proces penal, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal.

Gjykata e Posaçme caktoi me datë 30 dhjetor 2023 masën "arrest shtëpie" me mbikëqyrje policore për Berishën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë