Nga Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare luan sot një finale në kuptimin e vërtetë të fjalës. Edhe pse më pas mbeten edhe tri ndeshje të tjera nga kualifikueset e “Euro 2024”, mbrëmja e sotme – me Poloninë rivale në ‘Air Albania’ – vendos shumë në lidhje me biletën për në Gjermani 2024.
Për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet, me një Kombëtëre gjithmonë në rritje, në vend të dytë me 7 pikë, kjo ndeshje është vlerësuar si një finale e madhe. Barazimi i pak ditëve më parë në Çeki i ka shtuar shpresat për në Europian dhe sot e gjithë Shqipëria i ka sytë në ‘Air Albania’.
Mbi 20 mijë tifozë kuqezi janë të pranishëm fizikisht për të mbështetur skuadrën e zemrës në stadium, mijëra të tjerë e përkrahin në distancë, brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë. Nga të gjithë konsiderohet si një shans i artë për të siguruar pjesëmarrjen e dytë në një Europian.
Këtë herë pa pasur nevojën e pikëve në tavolinë, siç ndodhi në Francë 2016, kur kuqezinjtë shënuan atë arritje historike, falë edhe 3-pikëshit të fituar në tavolinë për ngjarjet në Serbi.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo ka treguar se e meriton plotësisht një nga dy vendet e para në grupin e saj. Po luan futboll të bukur, kompetitiv dhe po përballet si e barabartë me emra të mëdhenj, si Çekia që udhëheq grupin me 8 pikë dhe Poloninë që vjen pas nesh me 6 pikë.
Ka shumë optimizëm në opinionin sportiv dhe në radhët e tifozëve për një fitore të mundshme. Nëse ndodh, kuqezinjtë do të shkëputeshin në 4 pikë nga Polonia, nëse marrin maksimumin sot dhe me 2 ndeshje të tjera më pas po në ‘Air Albania’, kualifikimi në Gjermani 2024 do të ishte thuajse i sigurtë. Barazimi i le kartat të hapura, por kuptohet me një shkallë vështirësie më të madhe. Humbja na kthen prapa.
Por sot pritet shumë nga ana e kuqezinjve dhe e komandantit të tyre, brazilianit Silvinjo, i cili duket se ka gjetur mekanizmin e duhur për t’i marrë maksimumin skuadrës. Është një moment i artë vërtet. Koha e duhur, vendi i duhur dhe personazhet e duhur për të na dhuruar një mbrëmje të paharrueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.