Futboll

Gjithë Reali kundër Simeones: Një populist!

Diego Pablo Simeone në qendër të kritikave. Jo të drejtuesve apo tifozëve të Atletikos së Madridit, që fitoi 2-3 në fushën e Valadolidit. Ditë të vështira për trajnerin argjentinas, që e ka infermierinë plot me lojtarë të dëmtuar dhe që po përballet me kritika të ashpra nga ana tjetër e Madridit, ku Luka Modriç dhe ish-portieri i tij, Tibo Kurtua, e kanë sulmuar.

Atletiko mundi Valadolidit me shumë vështirësi, me dy gola të Grizman dhe një të Kaliniç. Por, duke qenë se argjentinasi ka një llogari të hapur me fatin e keq, ka ardhur edhe dëmtimi i Filipe Luis, që e lë skuadrën e Simeones me 14 lojtarë në total, në fushë dhe në stol. Megjithatë, tek Atletiko janë mësuar të jenë pak, por të mirë. Pas vuajtjeve në fushë, mbrëmja e së shtunës shkoi keq për Simeonen, i cili është sulmuar nga dy titullarë të Realit.

Simeone dhe Kurtua, kur ishin të dy tek Atletiko

Sipas spanjolles “Marca”, pas fitores të Real Madridit ndaj Rajo Valekanos, portieri Kurtua ka folur për ish-trajnerin e tij, Simeonen, i cili e ka lançuar në futbollin e madh me fanellën e Atletikos dhe të dy njihen mirë. “Simeone kritikon Real Madridin për t’u bërë më popullor përpara tifozëve të tij. E bën gjithmonë, e sulmon Realin, sepse është skuadra më e mirë në botë”, - ka thënë Kurtua, duke iu referuar deklaratës së Simeones për të: “Kurtua shkoi te Reali dhe u shpall portieri më i mirë në botë”. Më tej, portieri belg ka vazhduar: “Kur luajta në Botëror, isha pjesë e Çelsit dhe votat për çmimin që mora janë dhënë në korrik. Në atë kohë nuk isha ende te Reali. Mendoj se nuk është e drejtë që kërkon të minimizojë suksesin tim. Por e bën gjithmonë. Kam qenë tre vjet në skuadër me të dhe e di që thotë gjëra të tilla për të rritur popullaritetin e tij te tifozët.”

Pak a shumë të njëjtat fjalë ka thënë edhe Luka Modriç. Edhe ndaj kroatit Simeone ka folur me tone kritike, duke thënë se e ka fituar ai “Topin e artë”, ngaqë është lojtar i Realit, dhe jo Grizman, që e ka merituar, sipas argjentinasit. “E respektoj Simeonen, por nuk është e drejtë që sukseset tona të shërbejnë për t’u dhënë zë tezave të tij populiste kundër Realit”. Të gjithë kundër “Cholo”-s, por ndoshta këto sulme nuk janë një ide e mirë, sepse dihet që kur Simeone është me shpatulla pas murit, bëhet edhe më i rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë