Kombetarja

Gjithë bota kundër “ushtarëve” turq… Mund të përfitojë Shqipëria

Turqia po luan me “zjarrin”. Festa me sfond ushtarak pas golit ndaj Shqipërisë në minutën e fundit dhe përsëritja e saj në Francë ka sjellë një zemërim të thellë në mbarë botën. Reagimet janë të gjithanshme, sportive dhe politike. Autoritetet franceze kanë kërkuar nga UEFA një dënim ekzemplar për kombëtaren turke të futbollit që mbështet presidentin Erdogan për sulmet ndaj kurdëve në Siri.

Sulmet e Turqisë në Siri. Gazeta Si, 15 tetor 2019

Presidenti Makron preferoi të mos shkonte në stadium për ndeshjen Francë-Turqi, 1-1. Në tribunën qendrore ishte e pranishme ministrja e sportit, Roxana Maranineanu. Ish-kampionia e notit ka dënuar festimin ushtarak nga lojtarët e Turqisë përpara tribunës. “UEFA duhet ta dënojë në mënyrë ekzemplare Turqinë”, ka shkruar ajo në Twitter. Një mesazh që ushqen mosaprovimin e Francës jo vetëm ndaj qeverisë së Ankarasë për sulmet në territoret kurde në Siri, por edhe ndaj Federatës Turke të Futbollit, që duhet të qëndrojë neutrale në këtë çështje, të paktën sipas rregullave institucionale. Demiral me shokë kanë përsëritur lirshëm festimin ushtarak, në shenjë solidariteti me popullin e tyre, siç ka thënë Çalhanoglu.

Festimi ushtarak i turqve në Francë. Gazeta Si, 15 tetor 2019

Por jo vetëm Franca, edhe shumë vende të tjera e personazhe të njohur të sportit dhe politikës kanë dalë kundër Turqisë. Nuk mund të mungonte basketbollisti turk, simbol i luftës kundër presidentit Erdogan, Enes Kanter. Ai vazhdon betejën e tij për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Turqi, pavarësisht kërcënimeve me vdekje që ka marrë sistematikisht. Basketbollisti i Bostonit në NBA është gjithmonë e më i ashpër ndaj ideve dhe metodave të presidentit Rexhep Taip Erdogan. Pas ngjarjeve të fundit, sulmit ndaj kurdëve në Siri, Kanter e ka bërë të qartë qëndrimin e tij me një postim në Tuiter. “Nuk jam takuar dhe nuk kam folur me prindërit e mi prej 5 vitesh. Babanë ma kanë burgosur. Vëllezërit e mi nuk gjejnë dot punë. Më kanë bllokuar pasaportën. Është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për mua. Çdo ditë marr kërcënime me vdekje. Në Indonezi tentuan të më rrëmbenin. Liria nuk është gratis”, shkruan Kanter, një armik i betuar i Erdogan.

Enes Kanter, basketbollisti i njohur turk i Bostonit, armik i Erdoganit. Gazeta Si, 15 tetor 2019

Nga gjithë kjo situatë mund të përfitojë Shqipëria. Jo për festimin ushtarak të lojtarëve turq në ndeshjen ndaj nesh, sepse në këtë rast masa është vetëm disiplinore nga organet që drejtojnë futbollin. UEFA mund ta përjashtojë Turqinë nga aktivitetet e saj, nëse Erdogan nuk tërhiqet nga sulmet në territorin kurd në Siri. Është një situatë e ngjashme me atë të ish-Jugosllavisë në vitin 1992, kur ajo, pikërisht për shkak të sulmeve në Bosnjë, u përjashtua nga Europiani dhe vendin e saj e zuri Danimarka. Në këto kushte, kuqezinjtë kanë një arsye më shumë për të luftuar fort për vendin e tretë në Grupin H. Mund të përfitojnë për të shkuar në Europian, nëse përjashtohet Turqia. Dy ndeshjet e mbetura për Shqipërinë janë ato me Andorrën dhe Francën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë