Komunitet

Gjirokastra dhe Vlora më të prekurat nga emigracioni

Qarku i Gjirokastrës dhe ai i Vlorës janë dy qarqet të cilat kanë emigruar më shumë gjatë viteve të fundit.

Sipas dokumentit të INSTAT “Diaspora e Shqipërisë”, këto dy qarqe janë të vetmet në vend ku popullsia banuese është më pak se gjysma e popullsisë së regjistruar, përkatësisht me 41,1 % dhe 49,0 %.

INSTAT raporton se në vitin 2019, sipas vlerësimeve të tërthorta, numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,64 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 36 % të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Diaspora përllogaritet 1.641.354 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 862.622 individë janë meshkuj dhe 778.732 janë femra. Gjatë vitit 2019 shohim një shtim të diasporës me rreth 3,6 %. Meshkujt në diasporë kanë patur një rritje më të madhe me rreth 4,1% nga femrat që e kanë rreth 3%.

Siç edhe përllogaritjet tregojnë ajo përfshin një popullsi relativisht të re. Grupmosha (0-14 vjeç) është rreth 19 %, pjesën kryesore e zë grupmosha (15-65 vjeç) me rreth 76 % dhe mbi 65 vjec afërsisht 5 %.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për vitin 2019, numri i emigrantëve shqiptarë në botë është rreth 1,2 milionë. Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (rreth 75 përqind). Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, etj.

Duhet të theksohet se shtetësia është një karakteristikë e ndryshueshme, njerëzit mund të fitojnë shtetësinë e vendit të huaj të qëndrimit të tyre. Gjatë viteve 2008-2009, 22.8 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësinë greke; në Itali 14 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësinë italiane.

Kështu së bashku me një numër të panjohur të shqiptarëve të paregjistruar, popullsia e shqiptarëve jashtë vendit do të ishte më e madhe. Nga ana tjetër, popullsia me shtetësi shqiptare jashtë vendit përfshin një brez të dytë të fëmijëve të lindur jashtë Shqipërisë, të cilët nuk duhet të konsiderohen emigrantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë