Në ditën e tretë të grumbullimit të ekipit kombëtar në Durrës, para medieve kanë dalë dy mbrojtësit, Berat Gjimshti dhe Elseid Hysaj. Të dy futbollistët që luajnë në Serie A shpreheh se tashmë është momenti që kombëtarja kuqezi të rikthehet te rezultatet pozitive. Anësori që këtë vit do të luaj me Atalantën, ka nënvizuar në fjalën e tij rolin e grupit dhe që të niset mbarë ky edicion kualifikuesesh.
“Unë jam gati të jap kontributin tim kudo që ka nevojë kombëtarja, edhe si qendërmbrojtës. Ne e dimë se çfarë kundërshtari do të kemi përballë. Izraeli ka lojtarë të mirë, ndaj duhet të marrim mirë masat tona. Shpresoj të luajmë mirë dhe të fitojmë, që t’i gëzojmë edhe tifozët tanë. Fillimi i mbarë i një edicioni të ri kualifikues ka shumë rëndësi. Ne si futbollistë synojmë maksimumin në çdo ndeshje, të njëjtën gjë do të kërkojmë edhe ndaj Izraelit.”- është shprehur mbrojtësi Berat Gjmishiti

Sakaq Elseid Hysaj fillimisht ka folur për ndryshimet që kanë ndodhur në ekipin kombëtar në këto dy vitet e fundit.
“Miqësoret e fundit shkuan shumë keq për ne, por tani është histori ndryshe. Ndryshimet e shumta në grup ndikuan në ato paraqitje zhgënjyese në lojë dhe rezultat. Tani jemi të gjithë, të rinj të vjetër, dhe kemi mundësi të tregojmë fytyrën e vërtetë. Me karakterin që kemi dhe e tregojmë kur veshim fanellën kuqezi, duhet të gjithë japim maksimumin në fushë.”- tha Hysaj.

Më tej duke folur për sfidën me Izraelin, Hysaj tha se Shqipëria do të hyjë në fushë për të marrë tre pikët. Mbrojtësi shkodran u shpreh se duhet synuar kualifikimi që mund të arrihet duke ruajtur përqëndrimin gjithë ndeshjen. “Duhet të jemi të qetë, mos të mendojmë për ndeshjet e kaluara. Liga e Kombeve është një mundësi për të kaluar në Europian. Jemi gati, jemi stërvitur mirë dhe e shikoj si të barabartë përballjen me Izraelin. Do të synojmë kualifikimin në grup.Kemi mundësi të luajmë mirë dhe ta fitojmë ndeshjen me Izraelin. Duhet të jemi të përqëndruar.”- u shpreh mbrojtësi i Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.