Futboll

Gjimshiti triumfon në shtëpinë e Hysajt, Championsi shumë pranë

Sfida mes shqiptarëve ka mbyllur javën e 33-të të Serisë A. Napoli i Elseid Hysajt priti Atalantën e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit, por vetëm mbrojtësi ishte në fushë për skuadrën mike, që ka triumfuar në “San Paolo”, me rezultatin 1-2. Mertens e kaloi Napolin në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë Atalanta përmbysi gjithçka me golat e Zapatës dhe Pasaliç. Një fitore që e mban Atalantën në vend të 5-të, por me pikë të barabartë me Milanin e vendit të 4-t, me nga 56 pikë. Championsi është shumë pranë për Berishën dhe Gjimshitin dhe do të ishte një sukses i madh për Atalantën, nëse e arrin këtë objektiv, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë.

Napoli ka hasur sërish vështirësi dhe duket se nuk po e merr dot veten, pas eliminimit nga Arsenali në Europa League. Hysaj luajti nga minuta e parë, në krahun e majtë të mbrojtjes, që nuk është pozicioni i tij natyral. Paraqitja e tij ishte e mirë dhe është vlerësuar me notën 6 nga shtypi italian. Futbollisti shqiptar, si gjithë skuadra e tij, ka bërë edhe gabime dhe në pjesën e parë është ndëshkuar me karton të verdhë. E ardhmja e shkodranit duket larg Napolit, pasi trajneri Karlo Ançeloti nuk e ka në planet e tij për sezonin e ri, pavarësisht se e ka aktivizuar titullar në këtë ndeshje.

Berat Gjimshiti gjatë ndeshjes Napoli-Atalanta, 1-2

Një paraqitje më të mirë ka bërë mbrojtësi tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti, i cili në pjesën e parë e ka shpëtuar Atalantën nga një gol i sigurt me një ndërhyrje të shpejtë. Gjjimshiti luajti në qendër të mbrojtjes me tre lojtarë të Atalantës, një skemë që pëlqehet edhe nga trajneri i ri i Kombëtares, Edi Reja. Ndryshe është situata për portierin Etrit Berisha, i cili ka qëndruar në stol javët e fundit, pasi trajneri Gasperini ka preferuar Golinin titullar. Kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga kampionati itlian, që do të vendosin për ekipin e fundit që shkon në Champions, por edhe në Europa League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë