Kombetarja

Gjimshiti: Kemi shumë talente, mbrojtja nuk ka pasur probleme

Ishte radha e Berat Gjimshitit dhe Amir Abrashit për të folur në konferencë për ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Lituaninë. Janë dy nga lojtarët më me përvojë aktualisht te kuqezinjtë. Gjimshiti, titullar me Atalantën, ka theksuar se mbrojtja e Kombëtares është në nivelin e duhur, ndërsa për brezin e ri ai është shprehur se ka shumë talente që duhen mbështetur.

“Besoj se në dy ndeshjet e fundit nuk kemi pasur probleme në mbrojtje, është një repart që e kemi përmirësuar shumë. Si me Bjellorusinë, ashtu edhe me Lituaninë, nuk kemi pasur shumë raste kundër. Goli i pësuar me Lituaninë ishte një gabim individual. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, pasi kemi lojtarë me cilësi. Shqipëria i ka lojtarët për sistemin e lojës me 3 mbrojtës. Unë kam disa vite tek Atalanta me këtë sistem, nuk besoj se lojtarët e tjerë e kanë problem skemën.

Kombëtarja në stërvitje. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Ishte krenari të mbaja shiritin e kapitenit me Lituaninë, ishte një gjë shumë e bukur. Shumë të rinj? Ka ndodhur edhe vitet e tjera, ka shumë talente shqiptare kudo. I kemi parë në stërvitje, por dihet që kanë shumë rrugë për të bërë dhe është puna jonë që t’i mbështesim si duhet këta të rinj.

Ta harrojmë ndeshjen me Lituaninë dhe të përqendrohemi te Kazakistanin. Pastaj është Lituania. Kemi mungesa dhe është situatë e vështirë, jo vetëm për klubet, por edhe për kombëtaret. Duhet t’i respektojmë rregullat, kur vendos FIFA dhe UEFA ne nuk mund të ndërhyjmë. Kosova? Uroj të kalojë ndaj Maqedonisë së Veriut”, - tha mes të tjerash në konferencë shtypi mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë