Kombetarja

Gjimshiti dhe Veseli bashkohen me grupin, Silvinjo me dy seanca para Moldavisë

Gazeta Si – Dy ditë para ndeshjes me Moldavinë, Kombëtarja shqiptare zhvilloi dy seanca stërvitore në fushën e Shtëpisë së Futbollit. Në seancën e pasdites trajneri Silvinjo e kishte grupin të plotë, pasi me kuqezinjtë janë ribashkuar edhe mbrojtësit Berat Gjimshiti e Frederik Veseli.

Skuadra u stërvit fillimisht në sallën e forcës dhe pastaj në fushë. Trajneri Silvinjo ka vazhduar të testojë situata të ndryshme loje dhe variacione taktike, që pritet të aplikohen të shtunën në mbrëmje ndaj Moldavisë.

Të premten është parashikuar seanca e fundit stërvitore, ku do të jepen udhëzimet e fundit nga stafi kuqezi. Në orën 16:45 është programuar konferenca për shtyp e trajnerit Silvinjo.

Kombëtarja ka gati 10 ditë që përgatitet për ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Moldavisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Air Albania” më 17 qershor, kurse 3 ditë më pas kuqezinjtë luajnë në transfertë me Ishujt Faroe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë