Futboll

Gjici nuk e përtyp dot eliminimin, largon Gjokën nga Kukësi

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, edhe këtë herë i ka përmbushur parashikimet. Skualifikimi i skuadrës së tij që në turin e parë të Ligës së Europës do të kishte pasoja, të paralajmëruara nga vetë kreu i klubit verior dhe kështu ka ndodhur. Ernest Gjoka nuk është më trajner i nënkampionëve të Shqipërisë, që nuk iu përgjigjën pritshmërive në Europë. Kukësi barazoi 1-1 në Elbasan dhe u mund 3-0 në Hungari nga Debreceni, duke u eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 4-1.

Trajneri Gjoka largohet për herë të dytë nga stoli i Kukësit, në situata gati identike. Herën e parë u shpall kampion me këtë skuadër, por dështoi në Kupat e Europës dhe Gjici ia faturoi atij përgjegjësitë, duke e larguar. Edhe tani trajneri kryeqytetas largohet pas dështimit në Europë. Ai ishte kthyer në krye të kësaj skuadre disa javë para përfundimit të sezonit që shkoi, ku zuri vendin e dytë në kampionat dhe fitoi Kupën e Shqipërisë, por nuk përmbushi kushtin kryesor të presidentit Gjici: kalimin e të paktën një turi në Ligën e Europës. Lajmi i largimit të trajnerit Gjoka është publikuar në faqen zyrtare të klubit verior.

Trajneri Ernest Gjoka

“Trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të skuadrës së Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Europa League. Klubi ynë trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës së skuadrës nënkampione të Shqipërisë. FK Kukësi falenderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të vijojë të ketë fitimin e titullit Kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës”, - shkruhet në njoftimin e klubit kuksian. Priten edhe masa të tjera nga klubi kuksian për skuadrën, ku mund të ketë edhe largime lojtarësh.

Një kandidat potencial për stolin e Kukësit është Ilir Daja, i cili është i lirë për momentin, duke qenë se pista e rikthimit të tij te Skënderbeu ka rënë poshtë për shkak të vendimit të KAS-it. Me siguri presidenti Gjici do të tentojë këtë trajner, i cili ka dhënë prova suksesi në skuadra të ndryshme, por nuk përjashtohen edhe kandidatë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë