Futboll

Gjici i beson Shpëtim Duros, Partizani afron mbrojtësin e Veronës

Partizani dhe Kukësi, me atë çfarë kanë treguar deri tani në merkato, do të jenë pa dyshim skuadrat që do të luftojë për titullin kampion sezonin e ri, të kuqtë për ta mbrojtur kurorën dhe kuksianët për t’ua rrëmbyer atyre. Thuajse çdo ditë ka lëvizje te këto dy skuadra, që i përgjigjen njëra-tjetrës në distancë.

Kukësi ka zgjidhur tashmë çështjen e trajnerit të ri, duke i besuar kryeqytetasit Shpëtim Duro. Pas largimit të Ernest Gjokës, kandidatët për stolin kuksian ishin disa dhe më i kuotuari ishte Ilir Daja, por në momentet e fundit presidenti Safet Gjici ka vendosur për Duron. Trajneri i njohur ka drejtuar skuadra me emër në futbollin shqiptar, siç janë Partizani, Vllaznia, Besa, Flamurtari dhe Skënderbeu, por edhe Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut dhe Dritën në Kosovë. Ka qenë gjithashtu edhe ndihmëstrajner i Kombëtares, kur ajo drejtohej nga kroati Oto Bariç.

Shpëtim Duro, trajneri i ri i Kukësit

Klubi verior nuk ndalet as për forcimin e grupit të futbollistëve. Lëvizja e fundit është afrimi i sulmuesit kosovar Mirlind Daku, i cili vjen nga kroatët e Osijekut në formulë huazimi. “Daku vjen në formë huazimi te skuadra jonë, me të drejtë blerjen e kartonit të tij. Sulmuesi 21-vjeçar është pjesë e Kosovës U-21. Ai ka luajtur me Hajvalinë dhe Llapin në Kosovë, kurse sezonin e fundit kaloi tek Osijeku, ku luajti 15 ndeshje dhe shënoi 2 gola”. Ky është njoftimi i klubit kuksian për afrimin e Dakut, ndërkohë që më parë kishte zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me mbrojtësin Simo Rrumbullaku.

Deian Boldor, përforcimi i fundit i Partizanit

Edhe Partizani mbetet aktiv në merkato. Të kuqtë kanë marrë një mbrojtës rumun, kartonin e të cilit e disponon Verona në Itali. Deian Boldor, 24 vjeç, do të përforcojë qendrën e mbrojtjes të trajnerit Franko Lerda, një pozicion që kishte mbetur bosh pas largimit të Atandës dhe që deri tani i ishte besuar beratasit Bitri. “Klubi Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me Deian Boldor, mbrojtësin 24-vjeçar nga Rumania, i cili është pjesë e Veronës dhe vjen te ne në formulën e huazimit për një vit. Boldor ka luajtur me kombëtaret U-17 dhe U-21 të Rumanisë, ndërsa në Itali ka luajtur me skuadra si Peskara, Bolonja dhe Foxhia. Ka pasur edhe një përvojë te Montreal Impakt në Amerikë. Boldor i është bashkuar skuadrës dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Lerda për përballjen e Ligës së Europës ndaj Sherif Tiraspolit”, - shkruan klubi i kuq në njoftimin zyrtar për afrimin e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë