Politike

Gjermania shton presionin për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese

Gjermania mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe kur shpalosi prioritetet në fillim të muajit korrik, pasi mori stafetën nga Kroacia e bëri të qartë se sa i takon zgjerimit synonte që brenda këtij viti të zhvillonte konferencat e para ndërqeveritare të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, nëse në rastin e Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë parakusht për mbajtjen e kësaj konference, për Shqipërinë janë në mes tre të tilla, që janë përfshirë po nga Bundestagu gjerman. Kushti i parë lidhet me reformën zgjedhore dhe mbetet për t’u parë se çfarë vlerësimi do t’i japë Berlini Tiranës paktit të 5 qershorit, nëse do ta quajë të mjaftueshëm, apo jo.

Kushti i dytë lidhet me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe kushti i tretë më ngritjen e Gjykatës së Lartë. Tashmë, në prag të mbajtjes së samitit të radhës të udhëheqësve të Bashkimit Europian, Gjermania duket se është në fazën e mbledhjes së informacioneve se në çfarë faze është procesi në plotësimin e këtyre kushteve. Më urgjente, në këndvështrimin gjerman duket se është ngritja e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë qëllim, Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf zhvilloi një bisedë këtë të mërkurë me kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha. Në deklaratën zyrtare pas këtij takimi, Zingraf kujton se rikthimi në funksion i Kushtetueses është një prej kushteve të vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëri-BE.

“Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi”, thotë Ambasadori gjerman.

Por çfarë po e zvarrit procesin? Zingraf shprehet “mirënjohës” për shpjegimet e dhëna nga Vitore Tusha për ecurinë e punës gjatë verës. Por, a nënkupton ai me mirënjohës se argumentet që mori nuk e bindën për të justifikuar se procesi nuk mund të ecte më shpejt?

“Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ambasadori gjerman.

Në lidhje me vonesat në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta. Ai i cilësoi ato si të pajustifikueshme.

“Veprimtaria e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për fat të keq, nuk po ecën me ritmet e kërkuara duke sjellë të tjera vonesa të pajustifikuara në procesin e ringritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, thotë Meta në shkresën drejtuar këtyre institucioneve.

Meta vëren se vonesat nuk janë thjesht burokratike, por ato rrezikojnë që edhe të cenojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe besueshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

Presidenti ka vërjejtje edhe me procedurat e ndjekura për shqyrtimin e kandidaturave. Ai thotë se KED e ka njoftuar se këtë të martë do të shqyrtojë gjetjet për katër kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht Altin Binaj, Dedë Kasneci, Gentian Mete dhe Artan Spahiu, ndërsa gjashtë kandidatë të tjerë, Shaqir Hasanaj, Sonila Bejtja, Zhaklina Peto, Sergjio Mazniku, Sinan Tafaj dhe Eugen Papandile do të shqyrtohen në mbledhje të veçanta.

“Një gjë e tillë, përveçse do të sjellë implikime të forta ligjore për veprimtarinë e KED-së, krijon dyshime për një proces selektiv të paramenduar dhe vonesë të qëllimshme në këtë proces”, deklaron Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë