Kosova

Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kështu deklaroi më 7 korrik ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

“Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia (Tanner) ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual (parlamentar)që t’i lehtësohet barra Austrisë”, tha ai për gazetarët pas takimit me homologët e tij nga Austria dhe Zvicra në Bern.

Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 70 trupa gjermane.

Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë