Shendet

Gjermania rekomandon vetëm një dozë të AstraZenecas për të shëruarit nga COVID-19

Komisioni për vaksina në Gjermani tha të enjten se personat që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, duhet të marrin vetëm një dozë të vaksinës së prodhuar nga kompania britanike, AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it.

Ky vendim pritet që mundësojë që më shumë njerëz të vaksinohen kundër koronavirusit, teksa shtetet po përballen me mungesë të dozave të vaksinave.

Një dozë e AstraZenecas duhet t’i administrohet një pacienti që është diagnostikuar me COVID-19 gjashtë muaj më parë, tha Komisioni i përhershëm i vaksinave, përmes një deklarate për media.

Gjermania është përballur me një refuzim të qytetarëve për të marrë vaksinën e AstraZenecas, pasi gjatë studimeve klinike për këtë vaksinë, nuk kanë qenë të përfshirë personat mbi 65 vjeç.

Kjo ka bërë që disa udhëheqës të landeve gjermane të bëjnë thirrje që vaksina e AstraZenecas t’u jepet të rinjve.

Sipas të dhënave preliminare, Vaksina AstraZenecas është 63.9 për qind efikase kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Që prej fillimit të pandemisë COVID-19, Gjermania ka regjistruar mbi 2.4 milionë raste me këtë sëmundje, thuhet në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë