Bota

Gjermania, masa izolimi deri më 28 mars

Gjermania do të zgjasë masat e izolimit nga koronavirusi deri më 28 mars, por do të lejojë dyqanet jothelbësore dhe bizneset e tjera të rihapen në zonat me norma relativisht të ulëta të infeksionit.

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 landeve ranë dakort të mërkurën vonë për këtë balancë masash, pas rreth nëntë orë bisedimesh.

“Duhet të bëjmë hapa drejt hapjes, por, në të njëjtën kohë, hapa që nuk na kthejnë prapa”, tha kancelarja Merkel para gazetarëve në Berlin. “Ka shumë shembuj në Europë për një valë të tretë dramatike”, tha ajo.

Merkel u zotua se “pranvera e vitit 2021 do të jetë ndryshe nga pranvera e një viti më parë”.

Gjermania ka regjistruar në total mbi 2.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 71,000 viktima. Shumica e dyqaneve atje janë të mbyllura që më 16 dhjetor.

Restorantet, baret dhe objektet sportive janë mbyllur nga 2 nëntori, ndërsa hotelet lejohen të punojnë vetëm për të akomoduar udhëtarë të biznesit. Deri këtë javë, vetëm 5.3 për qind të popullsisë gjermane i është dhënë doza e parë e një vaksine kundër koronavirusit, ndërsa 2.7 për qind e popullsisë i kanë marrë nga dy doza.

Të mërkurën, udhëheqësit e vendit ranë dakord që të ndryshojnë rregulloren, për të përshpejtuar vaksinimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë