Kombetarja

Gjermania plot me talente shqiptare! Adrian Dashi: Tani i tërheq më shumë fanella kuqezi

Nga Fatjon Rupi - "Gjermania, o mor vllazën, nuk është më si përpara", këndonin lojtarët e Kombëtares në dhomën e zhveshjes, pasi siguruan biletën e "Euro 2024". Vërtet, Gjermania nuk është më si përpara për kuqezinjtë që do të shkojnë atje verën e ardhshme, por edhe për ata që kanë lindur e jetojnë në këtë vend dhe që tani duan të veshin fanellën e Shqipërisë.

Janë vërtet të shumtë talentet shqiptare në Gjermani. Mjafton të përmendim një shifër: në një seleksionim të bërë në këtë vend nga FSHF kanë qenë mbi 160 lojtarë të rinj që kanë marrë pjesë. Interesimi është gjithmonë e në rritje, siç konfimron për Gazeta Si përgjegjësi i skautëve të Shqipërisë në Gjermani, Adrian Dashi. Një karrierë e nisur në Shqipëri për shijakasin dhe e vazhduar në Gjermani, tek "Eintraht Frankfurt" fillimisht dhe pastaj te disa skuadra të tjera.

Adrian Dashi me dy djemtë e tij dhe një tjetër talent që aspirojnë të veshin fanellën e Shqipërisë. Gazeta Si, 10 dhjetor 2023

Ai është përfaqësuesi i FSHF-së në vendin ku prej shumë vitesh jetojnë shumë familje shqiptare. Familje që po rrisin talentet e së ardhmes, që mund të zgjedhin Gjermaninë ose Shqipërinë. Vendimi u takon atyre, ndërsa Dashi dhe FSHF bëjnë punën e tyre për t’i veshur kuqezi.

“Ka shumë, shumë shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe fëmijët e tyre tani po hedhin hapa të rëndësishëm në futboll. Kemi bërë 2-3 seleksionime dhe kërkesat janë gjithmonë në rritje. Për më tepër, kualifikimi i Shqipëprisë në Europianin e Gjermanisë i ka bërë ta duan edhe më shumë Shqipërinë. Ka më shumë joshje për fanellën kuqezi”, thekson Dashi për Gazeta Si.

Përgjegjësi i skautëve të Shqipërisë në Gjermani e ka bazën në Frankfurt, ku edhe jeton, ndërkohë që ka bashkëpunëtorë edhe në vende të tjera. “E them me bindje se Gjermania është plot më talente shqiptare, që madje bëjnë pjesë në klubet më të mira të futbollit gjerman.

Vetëm te "Bajern Mynih", që është edhe klubi më i madh, mund të them se janë të paktën 5 shqiptarë në akademinë e tij. Prej aty kemi marrë Marvin Çunin, talenti i radhës është Gashi, që luan me U-17 të Bajernit dhe vitin tjetër kalon te U-19. Është një lojtar që Bajerni e ka marrë nga "Herta Berlin".

Ka shqiptarë dhe në klube të tjera, si "Mainzi", ku luan edhe Brajan Gruda, i cili aktualisht është një alternativë për Shqipërinë. Puna vazhdon, sepse siç e thashë, ka shumë të rinj shqiptarë në Gjermani. Shumë prej tyre janë pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, por në të ardhmen kanë të drejtë të luajnë për Shqipërinë. Ne përpiqemi, kontaktojmë me ta dhe familjen e tyre. Dikush ka shumë dëshirë, dikush është i pavendosur”, tregon Dashi.

Jo në çdo rast ideja për të veshur fanellën e Shqipërisë shihet si prioritet. Në rastin e Arijon Ibrahimoviç, për shembull, lojtarit me nënë shqiptare që luan me Çunin te "Frozinone", propozimi nuk u mirëprit nga babai. Brajan Gruda i "Mainzit" duket në dilemë për momentin, pasi duket se joshet edhe nga Gjermania. Megjithatë, koha do të tregojë se cilët do të jenë ata që ‘gjermanë’ që do të zgjedhin Shqipërinë, puna po bëhet. Ditët e fundit seleksionimi i radhës është bërë në Tiranë, në Shtëpinë e Futbollit, ku pjesëmarrja ishte e madhe.

Adrian Dashi, ish-kapiten i Shpresave. Gazeta Si, 10 dhjetor 2023

"Euro 2024", vendimtare ndeshja me Italinë
Adrian Dashi, ish-lojtar i Teutës, Lushnjës dhe Dinamos në Shqipëri, si dhe pjesë e Shpresave të Kombëtares, ka dhënë një mendim edhe për përfaqësimin e kuqezinjve në "Euro 2024".

“Kemi një skuadër të mirë dhe mund të ecim mirë edhe pse jemi në një grup shumë të fortë. Për mua, vendimtare do të jetë ndeshja e parë me Italinë, nëse marrim një barazim apo një fitore në këtë ndeshje, mund të bëjmë diçka të madhe. Patjetër që në ndeshjet e Kombëtares sonë do të ketë shumë tifozë shqiptarë në stadium dhe ky është një plus”, shprehet Dashi.

Broja dhe Bajrami mund të ishin te "Borusia" sot
Në bisedë e sipër me përgjegjësin e skautëve të FSHF-së në Gjermani zbulohet edhe një detaj interesant: Armando Broja dhe Nedim Bajrami mund të kishin luajtur për "Borusian e Dortmundit". Emri i sulmuesit shqiptar i është propozuar "Borusias" në momentin që shiti Haland te "Mançetser Siti", kurse Bajrami është propozuar si një zëvendësues i Emre Çan. Dhe klubi gjerman i ka vlerësuar këto propozime.

Broja me fanellën kuqezi. Gazeta Si, 10 dhjetor 2023

“Po, Broja dhe Bajrami i janë propozuar "Borusia Dortmund", që ishte gati të hynte në bisedime. Por Broja deshi të qëndronte te Çelsi dhe Bajrami preferoi të qëndronte në Itali”, pohon Adrian Dashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë