Katar 2022

Gjermania një skuadër e përçarë, të gjithë kundër të gjithëve!

Gazeta Si – Në shënjestër janë lojtarët, të cilët janë të ndarë, grupi i Bajernit kundër atij të Dortmundit. Por edhe zgjedhjet e trajnerit dhe menaxhimi i situatës nga drejtori sportiv.

Zhgënjim, zemërim, mosbesim. Kjo është situata te Gjermania pas eliminimit, i dyti radhazi që në fazën e grupeve të Botërorit. Ndodhi në 2018-ën, ndodhi edhe tani në 2022-shin. Dy zhgënjime radhazi, pasi fitoi Kupën e Botës në 2014-ën.

Trajneri Flik dhe stafi i tij. Gazeta Si, 3 dhjetor 2022

Në Gjermani ka shumë shqetësim për të ardhmen dhe shumë paqartësi për të tashmen. Sepse ata lojtarë që me Bajernin në Champions bëjnë mirë, në kombëtare vuajnë. Nojer, Kimish, Goretzka, Myler, Sané, Gnabri, Musiala: ishin 7 bavarezë në skuadrën gjermane, por i vetmi që bëri punën e tij ishte më i riu, ai që ka fituar më pak.

Përveç Musialës, të tjerët nuk u panë në fushë, nuk lanë shenjë në asnjë moment. Tradhtuan edhe këtë herë.

Mediat kryesore në Gjermani flasin për që prej humbjes ndaj Japonisë në debutim për një skuadër të përçarë, të ndarë në grupe. Lojtarët e Bajernit kundër atyre të Borusia Dortmund, të rinjtë kundër të vjetërve, sulmi kundër mbrojtjes.

"Fundi i një skuadre mashtruese", - titulli i ‘Sport1’, që e drejton gishtin drejt sjelljes së lojtarëve. “Në skuadër ishin lojtarë që kanë fituar Championsin, që kanë dominuar Premier Ligën, që janë shpallur kampionë bote. Por nuk funksionon asgjë”. Nuk ka qetësi në dhomat e zhveshjes së Gjermanisë.

Që në ndeshjen ndaj Japonisë Flik u kritikua për vendimin e heqjes së Gyndogan, më i miri në fushë, për të futur Goretzkan. "Një ndërrim i bërë për të mos shkaktuar pakënaqësi te lojtarët e Bajernit dhe jo për arsye tekniko-taktike”, - kanë shkruar mediat gjermane.

Flik është shumë ‘i mirë’, shumë komod. Trajneri kritikohet edhe për faktin se nuk e ka kuptuar se ka ardhur momenti për të ndryshuar mënyrën e lojës. Që kur është tërhequr Klose, Gjermania nuk ka një sulmues të vërtetë zone. Mungojnë golat.

Zhgenjimi i madh gjerman. Eliminohen qe ne fazen ne grupe nga Boterori. Gazeta Si, 3 dhjetor 2022

Shtypi kërkoi futjen e Fullkrug në vend të Mylerit, por kjo nuk ndodhi. Rezultati: i pari në 66 minuta të luajtura ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë një asist. Lojtari i Bajernit ka luajtur trefishin (204 minuta) pa shënuar dhe pa shërbyer askënd.

Edhe këtu, me shumë mundësi, në zgjedhjet e trajnerit ka ndikuar emri i lojtarëve më shumë se forma e tyre. Edhe për këtë fakt atmosfera në dhomat e zhveshjes është e ndezur, ndaj dhe federata vendosi që skuadra të kthehej menjëherë pas eliminimit.

"Me humorin që kemi, të qëndrojmë këtu një ditë më shumë nuk ka sens",- shpjegoi drejtori sportiv i kombëtares gjermane, Oliver Bierhof. Përshtypja është se disa lojtarë sa më pak të qëndrojnë bashkë, më mirë është.

Nën akuza dhe federata gjermane dhe Bierhof: "Polemikat për shirtin–ylber nuk u kaluan në kohë, më keq akoma: vazhduan derisa u bënë argument kryesor mes lojtarëve pak orë para debutimit ndaj Japonisë", - shkruajnë mediat.

Nje tifoze gjermane ne lot pas eliminimit nga Boterori. Gazeta Si, 3 dhjetor 2022

‘Bild’ mban qëndrim të ashpër: "Data 1 dhjetor 2022 përfaqëson fundin e një kombëtareje të madhe futbolli. Katër herë kampionë bote, tri herë kampionë Europe. Por e gjitha kjo nuk është më. Dhe janë përgjegjës federata, trajneri dhe lojtarët. Bierhof dështoi në detyrën për të çuar Gjermaninë përsëri në majë. Mes Botërorëve dhe Europianëve, është turneu i tretë radhazi që dështojmë në mënyrë mizerabël".

Kicker dhe Bild theksojnë faktin se Spanja bëri gjithçka për të mos e fituar ndeshjen me Japoninë. "Spanjollëve u leverdiste kështu". Myler ka thënë se "vetëm teorikisht e kishim kualifikimin në dorë. Nëse do fitonim 8-0 do të kalonim 100%, por edhe kur je në formë nuk është e thjeshtë të fitosh me atë rezultat. Dukej sikur kalimi i turit varej nga ne, por ndeshja mes Spanjës dhe Japonisë ishte vendimtare".

Sjellja e skuadrës së Luis Enrikes është analizuar shumë në Gjermani, por ka shumë kohë që ‘pancerat’ zhgënjejnë dhe nuk e shpjegon vetëm ajo eliminimin. Rudiger tentoi ta spostojë vëmendjen nga ndeshja e Spanjës: "Duhet të mendojmë për veten, rëndon humbja me Japoninë. Edhe në një ndeshje vendimtare, si kjo me Kosta Rikën, pësuam 2 gola.

Në mbrojtje nuk luajtëm mirë, nuk funksuonuam. Të kesh talent nuk mjafton, shpresoj të jetë e qartë. Duhet të jesh ‘i pistë’ të kesh uri". Edhe Kimish bën autokritikë: "Nuk mund të flitet gjithmonë për fat të keq, në vitet e fundit kemi shpërdoruar shumë raste. Sipas meje, mund të fitonim 8-0 me Kosta Rikën".

Oliver Bierhof, drejtori sportiv i Gjermanise. Gazeta Si, 3 dhjetor 2022

Lotar Mateus ka shpërthyer kundër Bierhof: "U bënë vite që jemi në vështirësi, ai duhet të jetë udhëheqës. Besoj se është e drejtë të bëhen pyetje edhe për pozicionin e tij".

Mikael Balack fajëson Flik: "Të gjitha figurat brenda federatës gjermane duhet të diskutohen. Mes tyre është edhe Flik. Duhen vlerësuar të gjithë. Nuk duhet bërë si në 2018-ën, kur presidenti i federatës tha se duhej vazhduar me Lëv".

Procesi sapo ka nisur. Në Gjermani duhet të përtypin zemërimin, zhgënjimin dhe mosbesimin. Duhet zgjidhur problemi i rezultateve të viteve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë