Gazeta Si- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Gjeorgjisë ka hapur një hetim mbi manipulimin e dyshuar elektoral në zgjedhjet parlamentare të fundjavës së kaluar, të fituara nga partia pro-ruse Ëndrra Gjeorgjiane, e cila ka qeverisur vendin e vogël të Kaukazit që nga viti 2012.
Bazuar në rezultatet e komunikuara nga komisioni qendror zgjedhor, Ëndrra Gjeorgjiane fitoi me 54 për qind të votave kundër 37.5 për qind të opozitës pro-evropiane, e përbërë nga katër parti dhe e udhëhequr nga presidentja e Republikës, Salome Zourabichvili.
Si partitë opozitare ashtu edhe disa vëzhgues të pavarur, megjithatë, kishin denoncuar frikësimin dhe mashtrime në qendra të shumta votimi të vendit.
Për të hënën në mbrëmje, Zourabichvili kishte thirrur një demonstratë proteste në të cilën morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz; për shkak të presionit të madh, megjithatë, të martën komisioni zgjedhor filloi një rinumërim të pjesshëm të votave.
Zyra e prokurorit gjeorgjian, tha se të enjten Zourabichvili do të merret në pyetje për provat e pretenduara të mashtrimit që ajo kundërshtoi. Në çdo rast, do të duhen javë, nëse jo muaj, për të konstatuar ndonjë parregullsi.
Një ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu shqetësimin e tij të thellë për regresin demokratik të Gjeorgjisë dhe bëri thirrje për hetim transparent ndaj dyshimeve për vjedhje votash.
Zgjedhjet u mbajtën disa muaj pasi Ëndrra Gjeorgjiane e miratoi një ligj të diskutueshëm për “ndikimin e huaj”, të ngjashëm me ligjin rus për "agjentët e huaj," pavarësisht bojkotit të opozitës dhe protestave masive disamujore, që herë pas here u shtypën me dhunë. Ligji për kufizimin e të drejtave të komunitetit LGBT gjithashtu u miratua muajin e kaluar.
Zurabishvili, e cila ka qenë në konflikt me Ëndrrën Gjeorgjiane, por ka pushtet të kufizuara sipas Kushtetutës së Gjeorgjisë, i bëri thirrje Perëndimit më 29 tetor që të ushtrojë trysni ndaj Tbilisit për ta mbajtur vendin në rrugën perëndimore.
Ajo nuk pranoi ta nënshkruante ligjin për "ndikimin e huaj" dhe i kundërshtoi masat për LGBT, vendime që u rrëzuan pastaj nga Ëndrra Gjeorgjiane për shkak se ajo e ka nën kontroll Parlamentin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.