Kombetarja

Gjasula me ekip të ri, mesfushori kuqezi i bashkohet Hamburgut

Një ditë pas largimit nga Paderborni, Klaus Gjasula e ka gjetur skuadrën e re. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë do të veshë fanellën e Hamburgut, një nga ekipet historike të Gjermanisë që nuk ia doli të kthehej në Bundesligë, duke e mbyllur kampionatin e fundit në vend të katërt. Pritet vetëm zyrtarizimi, ndërkohë që shtypi sportiv gjerman e bën gjithçka fakt të kryer.

Gjasula, i mbiquajtur tashmë “njeriu-helmetë”, për shkak të mbrojtëses që ai mban në ndeshje si pasojë e një dëmtimi në kokë, nis një aventurë të re me qëllimin për t’u kthyer në Bundesilgë me fanellën e Hamburgut. 30-vjeçari, me përvojën e tij, pritet ta ndihmojë skuadrën e re për kthimin në elitën e futbollit gjerman, ku Hamburgu kishte qenë gjithmonë deri para dy sezonesh.

Klaus Gjasula në një ndërhyrje sparkatë. Gazeta Si, 15 korrik 2020

Futbollisti i lindur në Frajburg ka një trajektore të veçantë në karrierë, ku e ka nisur gjithçka nga kategoritë amatore për të shkuar deri në elitë. Edhe fanellën kuqezi ai e ka veshur në moshë të madhe. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, e ka një nga pikat kyçe në formacion, pasi Gjasula është një lojtar i rëndësishëm për skemën e tij, ku ai e ndihmon shumë mbrojtjen.

Sezonin e fundit Gjasula ishte titullar me Paderbornin në Bundesligë, ku regjistroi edhe një rekord më vete me 17 kartonët e verdhë që mori. Tani ai do të veshë fanellën e një prej skuadrave më të mëdha në Gjermani, edhe pse aktualisht bën pjesën në Bundesligën 2. Më parë me Hamburgun kanë luajtur edhe Mërgim Mavraj dhe Besart Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë