Kombetarja

Gjasula e pranon edhe barazimin: Edhe një pikë në Poloni do të ishte mirë

Gazeta Si – Dy mesfushorët Klaus Gjasula dhe Ylber Ramadani dolën sot në konferencë shtypi për të folur para ndeshjes së parë kualifikuese të Euro 2024 ndaj Polonisë. Si gjithë kuqezinjtë e tjerë, edhe ata kanë evidentuar klimën pozitive që ka sjellë në skuadër trajneri Silvinjo.

Gjasula ka pohuar se për Shqipërinë bën punë edhe barazimi në Varshavë. Në aspektin personal ai u shpreh se është gati të aktivizohet edhe në mbrojtje, nëse ia kërkon trajneri për shkak të mungesave.

“Jam mirë fizikisht, por të shohim nëse do të jem në gjendje të luaj nga minuta e parë. Nëse po, do të jap maksimumin për të ndihmuar shokët. Mbrojtja? Po, jam gati të luaj edhe në qendër të mbrojtjes. Jam mësuar me atë rol, por e vendos trajneri.

Kemi një frymë të re në skuadër, trajneri ka shumë energji. Jemi optimistë që do të bëjmë mire në këto kualifikuese. Çdo trajner ka idetë e veta, tani kemi një skemë të re. Të gjithë janë dakord dhe do të japim maksimumin.

Shkojmë në Poloni për të marrë maksimumin, por edhe një pikë është mirë. Të dyja ndeshjet me Poloninë kanë treguar se mund të marrim pikë. Ata kanë kualitete të mira dhe na duhet të jemi shumë të përqendruar për të mos gabuar. Kjo ka më shumë rëndësi”, - theksoi Gjasula.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë