Futboll

Gega stërkëmbësh Partizanit, Vllaznisë i ikën fitorja nga duart në minutën e 99-të

Gazeta Si - Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ka lënë pasoja te Partizani, që sot ka humbur një shans të artë për t’iu afruar vendit të 4-t, që mund ta çojë Europë. Të kuqtë kanë barazuar 0-0 me Skënderbeun në “Elbasan Arena”, ku kanë lënë 2 pikë që ndoshta do të kenë kosto të lartë.

Korçarët janë thuajse të rënë nga kategoria, por po respektojnë kampionatin dhe sot kanë bërë një ndeshje të mirë. Të drejtuar nga Skënder Gega, ish-trajneri kampion i Partizanit, ata e përballuan mirë kundërshtarin, iu afruan golit dhe në dy raste pretenduan për penallti.

Partizani bëri pak në këtë ndeshje për të merituar fitoren. Tani llogaritë për Europën janë komplikuar shumë dhe të kuqtë nuk e kanë vetëm në dorën e tyre objektivin sezonal. Nëse nuk fiton një biletë që të çon në Europë, do të ishte një dështim i madh për klubin kryeqytetas.

Portieri i Vllaznise, Zogoviç, i deshperuar pas golit te barazimit. Gazeta Si, 17 prill 2022

Vllaznia ishte shumë afër fitores në Durrës, por u barazua në minutën e 99-të nga Teuta. Shkodranët i kishin të gjitha mundësitë për të marrë vendin e 4-t dhe për t’iu afruar Kukësit, por fati nuk ishte me ta.

Liridon Latifi e kaloi Vllazninë në avantazh me një penallti, që u dha pas 4 minutash konsultë me VAR-in. Durrsakët këmbëngulën dhe vetëm në minutën e 9-të shtesë shënuan golin e barazimit me mbrojtësin Ivanoviç. Barazimi kuptohet që kënaq Teutën, ndërsa Vllaznia ‘qan’ 2 pikët e lëna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë